Rektori i UT Vizitë Zyrtare në Pekin, Mbështetje për Studentët në të Dyja Vendet - UNIVERSITETI I TIRANËS

Rektori i UT Vizitë Zyrtare në Pekin, Mbështetje për Studentët në të Dyja Vendet

Rektori i UT Vizitë Zyrtare në Pekin, Mbështetje për Studentët në të Dyja Vendet

Pekin 21.09.2018 – Rektori i Universitetit të Tiranës Prof. Dr. Mynyr Koni zhvilloi një vizitë zyrtare në Republikën Popullore të Kinës nga data 17-21 shtator 2018. Gjatë kësaj vizite Rektori i UT mbajti disa takime zyrtare dhe bisedime mbi bashkëpunimin midis UT dhe institucioneve të arsimit të lartë në Kinë.

Gjatë kësaj vizite, Rektori i Universitetit të Tiranës u prit në një takim nga Drejtori i Përgjithshëm i Hanban, institucion i atashuar pranë Ministrisë së Arsimit të Kinës, Ma Jianfei. Prof. Koni vuri në  dukje arritjet e Institutit Konfuci në UT për promovimin e gjuhës dhe kulturës kineze. Në këtë kuadër, Rektori i UT theksoi se numri i studentëve shqiptare që studiojnë gjuhën kineze është rritur dukshëm në dy vitet e fundit. Drejtori i Hanban shprehu mbeshtetjen e tij dhe të Hanban për Universitetin e Tiranës si dhe vullnetin e Institucionit që ai drejton për të ofruar bursa për studentët shqiptarë, të cilët kanë pasur një progres të dukshëm në mësimin e gjuhës kineze.

Në kuadër të vizitës zyrtare në Pekin, Rektori Prof. Koni u prit në një takim zyrtar nga Rektori i Universitetit të Studimeve Ndërkombëtare të Pekinit (BISU) Prof. Dr. Ji Jinbiao. Gjatë këtij takimi të dy rektorët biseduan mbi rritjen e bashkëpunimit midis të dy universiteteve në fushat me interes të përbashkët. Rektori Koni theksoi se ajo çfarë e bën tepër të veçantë bashkëpunimin me BISU është fakti që ky universitet ka hapur së fundmi një katedër të gjuhës dhe kulturës shqipe.

Në këtë aspekt, Rektori i UT i premtoi homologut të vetë të gjithë mbështetjen e tij personale dhe institucionale për zhvillimin e mëtejshëm të katedrës së gjuhës dhe kulturës shqipe. Nga ana tjetër, Rektori i BISU Prof. Dr. Ji Jinbiao i propozoi Rektorit të UT që të dy universitetet të nënshkruajnë një program të veçantë i cili mbështetet nga Bashkia e Pekinit për të mundësuar ardhjen në Universitetin e Tiranës të studentëve kineze të gjuhës dhe kulturës shqipe. Në fund të takimit të dy Rektorët firmosën një marrëveshje kuadër bashkëpunimi, për shkëmbimet akademike, kërkimore dhe shkencore.

Më pas, Rektori i Universitetit të Tiranës takoi të gjithë studentët kineze të  gjuhës shqipe të cilët i falenderoi që kishin zgjedhur të studionin gjuhën dhe kulturën shqipe. Ai vuri në dukje faktin se këta studentë ishin ura lidhëse midis të dy popujve duke rritur intensitetin e bashkëpunimit midis të dyja vendeve. Rektori u premtoi studentëve se në bashkëpunim me BISU do të mundësonte ardhjen e tyre në Shqipëri për të studiuar sa më mirë gjuhën dhe kulturën shqipe. Në fund të takimit studentët kënduan këngë në gjuhën shqipe si dhe demonstruan aftësitë e tyre në gjuhën shqipe.

Gjatë vizitës së tij në Pekin, Rektori i Universitetit të Tiranës Prof. Dr. Mynyr Koni drejtoi mbledhjen e Bordit të Institutit Konfuci. Në këtë mbledhje u diskutua mbi punën e Institutit Konfuci në vitet 2017 dhe 2018. Gjatë kësaj mbledhje Rektori i UT Prof. Koni kërkoi një standardizim të mëtejshëm të punës së Institutit Konfuci për të rritur efektshëmërinë dhe rezultatet konkrete. Gjithashtu, u ra dakord nga të dyja palët në mbledhje që Instituti Konfuci të ofrojë mësimin e gjuhës kineze në universitete dhe shkolla të mesme, si dhe për stafin e disa bizneseve private falë marrëveshjeve institutcionale që do të nënshkruhen nga Rektori i Universitetit të Tiranës.

Në këtë vizitë zyrtare në Pekin, Rektori i UT Prof. Dr. Mynyr Koni u prit në një takim të ngrohtë dhe miqësor nga Ambasadori i Republikës së Shqipërisë SHTZ. Selim Belortaja. Rektori e informoi Ambasadorin Belortaja mbi aktivitetet dhe bashkëpunimet me institucionet e arsimit të lartë në Pekin. Prof. Koni dhe Ambasadori Belortaja diskutuan edhe mbi hapat që duhen ndërmarrë për të mbështetur sa më shumë katedrën e gjuhës shqipe.