Njoftim për shtyrjen e afatit të regjistrimeve në programet e studimit të ciklit të parë për vitin akademik 2026–2027
Universiteti i Tiranës informon të gjithë kandidatët e interesuar se, në zbatim të Urdhrit të Përbashkët nr. 170, datë 22.10.2026, të Qendrës së Shërbimeve Arsimore (QSHA) dhe Qendrës Ndërinstitucionale të Rrjetit Akademik Shqiptar (RASH), është miratuar shtyrja e afatit të regjistrimeve deri më datë 23 tetor 2026, për vitin akademik 2026–2027.
Sipas këtij urdhri, kandidatët e çregjistruar sipas përcaktimeve të udhëzimit përkatës, si dhe kandidatët që janë pjesë e portalit U-Albania dhe rezultojnë të paregjistruar në asnjë program studimi, kanë të drejtë të regjistrohen në programet e studimit ku ka kuota të paplotësuara, pavarësisht aplikimeve të kryera në raundet e mëparshme.
Afati përfundimtar i regjistrimeve është data 23 tetor 2026.
Regjistrimet do të kryhen pranë sekretarive mësimore të njësive kryesore të Universitetit të Tiranës, nëpërmjet portalit U-Albania, brenda afatit të përcaktuar.
Universiteti i Tiranës fton të gjithë kandidatët e interesuar që plotësojnë kushtet e përcaktuara të përfitojnë nga kjo mundësi për regjistrim në programet e studimit me kuota të lira.
Për informacion më të detajuar, kandidatët mund t’u drejtohen sekretarive mësimore të fakulteteve përkatëse.
Dokumenti zyrtar: Urdhri i Përbashkët nr. 170, datë 22.10.2026, “Për disa ndryshime në Urdhrin e Përbashkët nr. 157, datë 03.06.2026, ‘Për miratimin e kalendarit për procedurat e aplikimit dhe të regjistrimit në institucionet e arsimit të lartë, për vitin akademik 2026–2027’”.
