Këtë semestër, Universiteti i Tiranës pret mbi 40 studentë ndërkombëtarë, të cilët kanë zgjedhur institucionin tonë për të përjetuar një eksperiencë të re akademike, kulturore dhe ndërkombëtare.
Nëpërmjet programit Erasmus+, studentët do të kenë mundësinë të ndjekin lëndë dhe të angazhohen në veprimtari akademike e trajnime, duke shkëmbyer njohuri, përvoja dhe perspektiva të reja me studentët dhe stafin akademik të Universitetit të Tiranës.
Përtej auditorëve, kjo përvojë do t’u mundësojë atyre të njohin më nga afër kulturën shqiptare, të krijojnë miqësi të reja dhe të bëhen pjesë e komunitetit tonë universitar.
Universiteti i Tiranës vijon të forcojë dimensionin e tij ndërkombëtar, duke promovuar mobilitetin akademik, bashkëpunimin ndërkombëtar dhe një mjedis universitar të hapur ndaj diversitetit kulturor dhe shkëmbimit të përvojave.
Mirë se erdhët në Universitetin e Tiranës! Ju urojmë një semestër të suksesshëm, plot përvoja dhe njohuri të reja.









