Sot më datë 03.06.2021, Senati Akademik i Universitetit të Tiranës nderoi me titullin “Doctor Honoris Causa” Prof. Evelyne Lande, Profesoreshë në Universitetin e Poitiers, Francë me motivacionin “Personalitet i shquar i shkencës së financës dhe kontabilitetit, me kontribute të veçanta në vendosjen dhe thellimin e bashkëpunimit ndërmjet Universitetit të Tiranës dhe Universitetit të Poitiers, Francë, si dhe bashkëautore e drejtuese e disa projekteve të suksesshme evropiane të përbashkëta në fushën e mësimdhënies dhe të kërkimit shkencor”.
Dhënia e titullit “Doctor Honoris Causa” për zj. Lande erdhi si propozim i Dekanatit të Fakultetit të Ekonomisë, si vlerësim i kontributit të saj përgjatë një periudhe thuajse 20-vjeçare në vendosjen dhe konsolidimin e bashkëpunimit midis Universitetit të Tiranës dhe Universitetit të Poitiers.
Gjatë këtyre viteve bashkëpunimi midis dy universiteteve, 122 studentë shqiptarë kanë ndjekur studimet e tyre pranë Universitetit të Poitiers dhe 21 studentë të tjerë në fushat e Ekonomisë dhe Drejtësisë nga Universiteti i Tiranës priten të nisen në Universitetin e Poitiers në vitin e ardhshëm akademik. Përsa i përket mobiliteteve hyrëse, 18 studentë francezë kanë ardhur në Shqipëri, ku 8 prej të cilëve ndodhen aktualisht në Universitetin e Tiranës. Gjithashtu falë këtij bashkëpunimi afatgjatë, kanë patur mundësi të kryejnë vizita reciproke 32 profesorë shqiptarë dhe 26 profesorë francezë, të cilët kanë kontribuuar me zhvillimin e projekteve të reja në Universitetin e Tiranës.
Në fjalën e tij Rektori, Prof. Dr. Artan Hoxha, vlerësoi përkushtimin e zj. Lande në themelimin dhe zhvillimin e qëndrueshëm të marrëdhënieve midis dy universiteteve. Si Rektor i Universitetit, ai theksoi angazhimin dhe mbështetjen për çdo projekt dhe mundësi bashkëpunimi në të ardhmen.
Dekani i Fakultetit të Ekonomisë Prof. Dr. Dhori Kule, në recensën e tij, theksoi rolin jashtëzakonisht të rëndësishëm në lidhjen dhe konsolidimin e marrëdhënieve të bashkëpunimit midis Universitetit të Poitiers dhe Universitetit të Tiranës për ndërtimin e një partneriteti funksional, startegjik, afatgjatë dhe të nivelit më të lartë.
Prof. Dr. Sherif Bundo në recensën e tij, krahas vlerësimit dhe falenderimit për kontributin e zj. Lande, shprehu angazhimin për vijimin e këtij bashkëpunimi frytdhënës dhe sesi ky bashkëpunim mund të shërbejë si model suksesi edhe me partnerë e tjerë ndërkombëtarë në të ardhmen.
Zj. Lande u shpreh se ndihej e nderuar për këtë titull të lartë nga Universiteti i Tiranës dhe theksoi gadishmërinë për të vijuar këtë bashkëpunim dhe për ta zgjeruar edhe më tej në të ardhmen. Si Ambasadore e Universitetit të Tiranës në Universitetin e Poitiers, Profesoreshë Lande shprehu impenjimin dhe gadishmërinë e saj për të intensifikuar edhe më tej bashkëpunimet në të ardhmen në të gjitha fushat me interes të përbashkët.