Startup Live Tirana #4 - UNIVERSITETI I TIRANËS

Startup Live Tirana #4

Universiteti i Tiranës, me anë të projektit PACINNO – Platform for trans-Academic Cooperation in Innovation, një projekt i financuar nga IPA Adriatic Cross-border Cooperation Programme, në bashkëpunim më organizatën rinore “UNIque Junior Enterprise”, organizoi më datat 15-17 Maj 2015, në Godinën “Liria”, edicionin e 4-t të Startup Live Tirana.

 

Startup Live Tirana është një event 3-ditor në të cilin të rinjtë konkurojnë me ide të ndryshme inovative të aplikueshme në fusha të ndryshme të biznesit me fokus kryesor në Teknologjinë e Informacionit dhe shkencat kompjuterike.

 

Në këtë event mori pjesë edhe Ministrja e Inovacionit dhe Administratës Publike, Znj. Milena Harito, e cila ndoqi nga afër dhe mbështeti aktivitetin, si edhe iniciativën e projektit Pacinno.

 

Gjatë eventit pjesëmarresit u trajnuan mbi zhvillimin e konceptit të tyre të biznesit, modelit të biznesit, marketingut, marrëdhënies me investitorët si edhe mbi mënyrën e prezantimit. Ata arritën të marrin një feedback nga ekspertë dhe profesionistë të fushës vendas dhe të huaj për të përmirësuar dhe rritur idenë e tyre të biznesit.

 

Në këtë event morën pjesë rreth 100 të rinj, të cilët u ndanë në grupe dhe finalizuan projektet e tyre. Ditën e premte, 15 maj, u prezantuan 21 ide biznesi dhe ditën e dielë, në finale arritën të përfundojnë prezantimet 19 grupe, të cilat u vlerësuan nga juria e Startup Live Tirana, e përbërë nga: Z.Dritan Mezini, Drejtues i Bordit të AITA; Z. Ilir Rrëmbeci, Drejtor Ekzekutiv i Agjensisë Rajonale të Zhvillimit në Tiranë; Z.Shkëlzen Marku, Drejtues i Yunus Social Business në Shqipëri; Z.Aleksandër Vangjeli, Drejtor i IT QA në Raiffeisen Bank; Znj. Albana Zykaj, Drejtoreshë e Eksporteve, AIDA.

 

Tre ekipet më të vlerësuara nga ana e jurisë ishin si më poshtë:

  1. SmartCharging – një risi për karikimin e celularit me energji diellore duke kthyer kabinat e vjetra të telefonave në kabina multifunksionale.
  2. PartyOn – aplikacion për IOS dhe Android për rezervimin e biletave të eventeve të lokaleve të natës dhe jo vetëm.
  3. Rest.al – shërbim për turistët, duke ofruar vendet më interesante për të kaluar pushimet.

 

Grupi fitues do të përfaqësojë Shqipërinë në Pioneers Festival në Vienë më 28-29 Maj 2015, ku do të kenë mundësi të takohen me investitorë ndërkombëtarë.

 

Këto tre grupe fituan mundësinë e një trajnimi 3-mujor nga Yunus Social Business për zhvillimin e planit të tyre të biznesit. Vendi i parë do të përfitojë gjithashtu një trajnim me 6 module në formen e inkubatorit, të mundësura nga Albanian Innovation Accelerator.

 

Ndërkohë, çmimin e madh prej 300.000 Lekë, të mundësuar nga AIDA, e fitoi grupi ShareAlbania, një aplikacion me qëllim promovimin e vlerave të Shqipërisë si përshembull atraksionet turistike. Ky Aplikacion përbëhet nga tre seksione: Info, Explore Check In & Upload.