Studentë, pajisuni me Kartën e Studentit, përfitoni lehtësira në shërbime! - UNIVERSITETI I TIRANËS

Studentë, pajisuni me Kartën e Studentit, përfitoni lehtësira në shërbime!

Rreth 2500 shërbime të ndryshme përfitohen nga studentët, përmes Kartës së Studentit, që ofrohet nga Bashkia e Tiranës. Me nisjen e vitit akademik, Agjencia e Rinisë pranë Bashkisë Tiranë dhe Universiteti i Tiranës, nisën edhe serinë e prezantimeve të Kartës së Studentit në fakultetet e këtij universitetit. Prezantimi po bëhet përmes një panairi “shëtitës”, i cili u hap së pari në fakultetin më të madh të UT-së, atë të Ekonomisë.

Synimi i këtij panairi është t’u mundësojë të gjithë studentëve takimin e drejtpërdrejtë me bizneset nga të cilët mund të përfitojnë shërbimet e tyre përmes Kartës së Studentit.

Drejtoresha e Agjencisë së Rinisë, znj. Enkelejda Hamzaj u shpreh se janë 2500 subjekte, publike dhe private, të cilat ofrojnë shërbime me tarifa të reduktuara tek Karta e Studentit, ndaj paisja me kartë është një mundësi mjaft e mirë për çdo student.

“Karta e Studentit është një ndër punët e mira që Bashkia e Tiranës ka bërë.  Bashkia e Tiranës, ky universitet dhe gjithë kompanitë pjestare të Kartës së Studentit janë krah më krah për të mbështetur studentët, dhe kjo na bën të gjithëve krenarë. Abonetë falas, subvencionimi me 50% i konvikteve, dhe shumë elementë të tjera janë prioritet të bashkisë” – u shpreh në fjalën e tij nënkryetari i Bashkisë Tiranë, z. Andi Seferi.

Universiteti i Tiranës fton të gjithë studentët që të pajisen me Kartën e Studentit dhe të bëhen pjesë e përfitimit të shumë shërbimeve që ajo ofron.