Takim Informues mbi Programin ERASMUS + & Projektin JoinEU-SEE Penta - UNIVERSITETI I TIRANËS

Takim Informues mbi Programin ERASMUS + & Projektin JoinEU-SEE Penta

Në kuadër të programit Erasmus + dhe projektit JoinEU-SEE Penta, më datë 21 Nëntor 2014, ora 11:00-13:00, Universiteti i Tiranës në bashkëpunim me Zyrën Kombëtare Erasmus + në Shqipëri ka mbajtur një seancë informuese në Fakultetin e Shkencave Sociale, salla Aula Magna. Kjo seancë informuese kishte si target grup stafin akademik dhe studentët e Universitetit të Tiranës dhe kishte për qëllim të përcjellë informacion mbi mundësitë e aplikimit për bursa dhe projekte të ndryshme dhe nënshkrimin e marrëveshjeve bilaterale në kuader të programit Erasmus +.

 

Programi Erasmus +, ka çelur siparin e aplikimeve për aktivitetet ku Shqipëria është e lejuar të aplikojë. Erasmus + ështe i rëndësishëm për Shqipërinë pasi ai do të mbështesë financiarisht një sërë veprimtarish në fushat e Arsimit, Trajnimit, Rinisë dhe Sportit për periudhën 2014-2020. Ai do t’i mundësojë dhe financojë shkëmbime të shumta studentësh, stafesh akademike dhe administrative. Gjithashtu, Erasmus + do të mbështesë bashkëpunimin midis institucioneve të arsimit të lartë të BE-së dhe jashtë saj, për të zhvilluar qasje të reja në mësimdhënie, harmonizimin e programeve, kualifikimin e vazhduar të stafeve, bashkëpunimin me ndërmarrjet private e aktorë të tjerë, me qëllim lehtësimin e transferimit të dijeve, përshtatjen me nevojat e tregut të punës, etj.