UNINOVIS Kick OFF meeting in Paris!
TAKIMI I PARË I UNINOVIS NË PARIS
Më 22 – 24 janar 2025, u mbajt në Paris takimi i parë zyrtar i Aleancës Universitare Evropiane UNINOVIS “Data for L.I.F.E.”, organizuar nga Universiteti Sorbonne Paris Nord. Ky takim ishte pikënisja e një udhëtimi të gjatë, të frytshëm dhe plot sfida, me bashkëpunime, programe të përbashkëta inovative, kërkime shkencore dhe shumë mundësi të tjera.
Me angazhimin e rektorëve për të garantuar qëndrueshmërinë e Aleancës UNINOVIS dhe me bashkëpunimin konkret të anëtarëve të saj, jemi të bindur se do të realizojmë vizionin tonë ambicioz: krijimin e Universitetit Evropian të Shkencës së të Dhënave.
Pjesëmarrësit nga shtatë universitetet partnere: Universiteti Sorbonne Paris Nord (Francë), Universiteti i Tiranës (Shqipëri), Universiteti i Shkencave të Aplikuara Wurzburg-Schweinfurt (Gjermani), Universiteti i Shkencave të Aplikuara i Tamperes (Finlandë), Universiteti i Malagës (Spanjë), Universiteti i Kampanias “Luigi Vanvitelli” (Itali) dhe Universiteti i Shkencave të Aplikuara i Kaunasit (Lituani), si dhe partnerët e asocuar, përfshirë Universitetin e Aplikuar të Hagës (The Hague University of Applied Sciences), IT:U-Interdisciplinary Transformation University (Austria), diskutuan për zbatimin e suksesshëm të projektit dhe për mundësitë që kanë në zhvillimin e bashkëpunimeve të tjera.
Universiteti i Tiranës mori pjesë aktive në diskutime dhe në përcaktimin e planit të bashkëpunimit afatshkurtër njëvjeçar. UT-ja do të angazhohet në programe studimore në të gjitha nivelet, duke përfshirë mikrokredencialet dhe studimet e doktoratës. Po ashtu, UT-ja synon të bëhet Qendër Ekselence në Shqipëri dhe në rajon në fushën e të dhënave, si dhe të kontribuojë në zhvillimin ekonomik dhe të strategjisë S3, nëpërmjet kërkimit shkencor, inovacionit dhe ekspertizës.