Të vijojmë të forcojmë Universitetin e Tiranës!
Rektori i Universitetit të Tiranës, Prof. Dr. Artan Hoxha, në kuadër të zgjedhjeve për drejtuesit e rinj në Universitetin e Tiranës, prezantoi edhe para stafit akademik dhe studentëvë të Fakultetit të Shkencave Sociale platformën “Për një universitet evropian dhe gjithëpërfshirës”. Rektori i UT-së paraqiti arritjet e UT në katër vite të drejtimit prej tij, duke përmendur çështjet e trajtimit financiar të pedagogëve, mbështetjen e kërkimit shkencor, investimeve në infrastrukturë, avancimit të procesit të ndërkombëtarizimit etj.
Ai vuri theksin tek nevoja në të ardhmen për tu përqëndruar në drejtim të informatizimit të veprimtarive të UT, përmirësimit të marrëdhënieve të bashkëpunimit, ndërmjet strukturave përbërëse akademike dhe administrative, funksionimit të Asamblesë së Fakulteteve, forcimit të marrëdhënieve me institucione të tjera, etj.