Rektori i Universitetit të Tiranës, Prof. Dr. Artan Hoxha, së bashku me Zv. Rektorin për Marrëdhëniet me Jashtë, Prof. Asoc. Dr. Bernard Dosti, morën pjesë në takimin e Komitetit Ekzekutiv të BUA (Asociacioni i Universiteteve Ballkanike), i cili u zhvillua në Universitetin e Trakya, Edirne, Turqi, në datat 5-6 shkurt 2024. Universiteti i Tiranës këtë vit mban presidecën e këtij asociacioni. Takimi mblodhi autoritetet më të larta të universiteteve anëtare, të cilat diskutuan mbi veprimtarinë e asociacionit, iniciativat e tij, anëtarësimet e reja, dhe Konferencën e rradhës, e cila do të organizohet nga Universiteti i Tiranës, në muajin Qershor 2024.
Në kuadër të intensifikimit të bashkëpunimit ndërkombëtar, në këtë aktivitet, u nënshkrua rinovimi i marrëveshjes së bashkëpunimit midis Universitetit të Tiranës dhe Universitetit të Trakya, me një kohëzgjatje pesë vjeçare, i cili synon bashkëpunmin në fushën akademike, lidhur me shkëmbimin e personelit dhe studentëve, pjesëmarrjen në projekte kërkimore të përbashkëta, konferenca shkencore, seminare akademike dhe simpoziume, programe akademike afatshkurtra, si dhe organizimin e aktiviteteve në fusha me interes të përbashkët.
Asociacioni i Universiteteve Ballkanike (BUA) është themeluar në vitin 2014 në Edirne, Turqi dhe synimi kryesor është të përcaktojë një vizion udhëheqës për të ardhmen përmes universiteteve, bibliotekave, qendrave kërkimore në rajonin e Ballkanit mbi bazën e vlerave të përbashkëta globale, duke marrë parasysh nevojat e kohës. Përveç kësaj, synon të krijojë një rrjet shkencor në fushën e gjuhës, kulturës, artit, historisë, ekonomisë, arsimit dhe sportit, si dhe kryerjen e punimeve shkencore bashkëpunuese. Në këtë asociacion bëjnë pjesë në total 92 universitete, prej të cilave, 11 universietete nga Shqipëria, 7 nga Bosnja dhe Hercegovina, 19 nga Bullgaria, 3 nga Kroacia, 2 nga Mali i Zi, 5 nga Maqedonia, 11 nga Kosova, 5 nga Rumania, 1 nga Serbia, 17 nga Turqia dhe 11 nga Greqia. Anëtarësimi i UT në BUA është realizuar në vitin 2018.