Universiteti i Tiranës është njoftuar mbi hapjen e thirrjes për studentën për aplikime në kuadër të programit të bursave “You and Europe Scholarship Programme” - UNIVERSITETI I TIRANËS

Universiteti i Tiranës është njoftuar mbi hapjen e thirrjes për studentën për aplikime në kuadër të programit të bursave “You and Europe Scholarship Programme”

Universiteti i Tiranës është njoftuar mbi hapjen e thirrjes për studentën për aplikime në kuadër të programit të bursave “You and Europe Scholarship Programme”, i cili realizohet nga Fondacioni Alfred Toepfer Stiftung F.V.S., në bashkëpunim me Fondacionin Kombëtar Akademik Gjerman (Studienstiftung des deutschen Volkes).

Programi i bursave u drejtohet studentëve që dëshirojnë të ndjekin një program të plotë studimi të ciklit të dytë (Master) në një universitet në Gjermani, duke filluar nga vjeshta e vitit 2027, dhe që shfaqin interes të veçantë për shkëmbimin akademik dhe bashkëpunimin evropian.

Programi synon të mbështesë studentët me rezultate të shkëlqyera akademike, duke u ofruar mundësi për zhvillim akademik, personal dhe profesional në një mjedis ndërkombëtar, si dhe për krijimin e një rrjeti bashkëpunimi ndërmjet studentëve nga vende të ndryshme.

Vendet pjesëmarrëse në program

Për këtë raund aplikimesh, programi është i hapur për studentët nga vendet e mëposhtme:

Shqipëria, Belgjika, Bosnja dhe Hercegovina, Bullgaria, Kroacia, Danimarka, Estonia, Franca, Gjeorgjia, Irlanda, Izraeli, Italia, Kosova, Holanda, Maqedonia e Veriut, Polonia, Portugalia, Rumania, Spanja, Zvicra dhe Turqia.

Kriteret e aplikimit

Programi është i hapur për studentët e të gjitha disiplinave akademike në universitete dhe universitete të shkencave të aplikuara, me përjashtim të:

  • Studentëve të institucioneve të arsimit të lartë të specializuara në art dhe muzikë;
  • Studentëve të universiteteve të shkencave të aplikuara që ndjekin studime në fushat e arteve pamore dhe performuese, dizajnit, filmit dhe muzikës.

Kandidatët duhet të plotësojnë kriteret e mëposhtme:

  • Të jenë nga një prej vendeve të përfshira në program;
  • Të synojnë ndjekjen e një programi të plotë studimi Master në një universitet në Gjermani, duke filluar nga vjeshta e vitit 2027;
  • Të kenë arritur rezultate akademike mbi mesataren gjatë studimeve të mëparshme;
  • Të kenë dëshmuar angazhim të veçantë gjatë studimeve, duke u renditur ndër 10–15% të studentëve me rezultatet më të larta të vitit përkatës të studimit;
  • Të shfaqin interes të veçantë për shkëmbimin dhe bashkëpunimin evropian;
  • Të nominohen nga një profesor universitar.

Studentët që kanë përfunduar në Gjermani arsimin që u mundëson aksesin në arsimin e lartë ose një program studimi të ciklit të parë (Bachelor) nuk kanë të drejtë të përfitojnë nga ky program bursash.

 

 

Mbështetja financiare dhe përfitimet e programit

Programi i bursave “You and Europe” ofron përfitimet e mëposhtme:

  1. Mbështetje financiare mujore

Bursë mujore që varion nga 300 deri në 1 155 euro, në varësi të nevojave financiare të studentit, si dhe përfitime të tjera shtesë, të tilla si subvencione për sigurimin shëndetësor, shtesa familjare etj.

Mbështetja financiare ofrohet për kohëzgjatjen standarde të programit të studimit Master. Në raste të argumentuara, studentët mund të paraqesin kërkesë për zgjatjen e periudhës së financimit.

  1. Pjesëmarrje në takime ndërkombëtare të rrjetit të bursistëve

Pjesëmarrje në dy takime vjetore të dedikuara çështjeve evropiane, ku marrin pjesë të gjithë përfituesit e programit të bursave “You and Europe”.

Në kuadër të këtyre aktiviteteve mbulohen:

  • Shpenzimet e akomodimit;
  • Shpenzimet e ushqimit;
  • Kostot e pjesëmarrjes në program.

Gjithashtu, subvencionohen shpenzimet e udhëtimit.

  1. Mbështetje dhe orientim në Gjermani

Përfshirje në programin e mbështetjes ndërmjet studentëve (Peer Programme) të Studienstiftung.

Me kërkesë të studentit përfitues, Studienstiftung identifikon një bursist të fondacionit në qytetin ku studenti do të zhvillojë studimet, i cili do të shërbejë si person kontakti dhe do të ofrojë orientim dhe mbështetje në vend për studentët e sapoardhur.

  1. Përfshirje në programin e bursave të Studienstiftung

Studentët nga vendet anëtare të Bashkimit Evropian dhe vendet në proces anëtarësimi në Bashkimin Evropian, përfshirë Shqipërinë, përfshihen gjithashtu në programin e bursave të Studienstiftung.

Procedura e nominimit dhe aplikimit

Për të aplikuar në programin e bursave “You and Europe”, studentët e interesuar duhet fillimisht të nominohen nga një profesor universitar.

Nominimet duhet të dorëzohen në mënyrë elektronike, nëpërmjet faqes zyrtare të programit:

https://www.toepfer-stiftung.de/en/what-we-do/you-and-europe   

Pas procesit të nominimit, kandidatët duhet të dorëzojnë dokumentacionin e plotë të aplikimit, në përputhje me kërkesat dhe afatet e përcaktuara nga organizatorët e programit.

Afatet e rëndësishme

  • 2 dhjetor 2026 – Afati i fundit për nominimin e kandidatëve nga profesorët universitarë;
  • 4 janar 2027 – Afati i fundit për dorëzimin e dokumentacionit të plotë të aplikimit;
  • Vjeshtë 2027 – Fillimi i studimeve Master në Gjermani.

Informacion i mëtejshëm dhe kontaktet

Për informacion më të detajuar mbi programin e bursave, kushtet e përfitimit, kriteret e përzgjedhjes, dokumentacionin e kërkuar dhe procedurën e nominimit dhe aplikimit, studentët e interesuar mund të konsultojnë faqen zyrtare të programit:

Website: https://www.toepfer-stiftung.de/en/what-we-do/you-and-europe

Për pyetje ose informacione të mëtejshme, mund të kontaktoni:

Joanne Sonnemäker
Drejtuese e Programeve të Bursave
Alfred Toepfer Stiftung F.V.S.
E-mail: yes@toepfer-stiftung.de

 

Uni Education by Shark Themes