the European Union
Universiteti i Tiranës merr pjesë në javën e dytë të trajnimit të projektit EU-GaNoM në Murcia, Spanjë
Në datat 20–24 prill 2026, Universiteti i Tiranës mori pjesë në javën e dytë të trajnimit (Staff Training Week), të organizuar nga Universiteti i Murcias, Spanjë, në kuadër të projektit EU-GaNoM – EU Grant advisors Network of Multipliers, i financuar nga programi Erasmus+ i Bashkimit Evropian.
Aktiviteti u zhvillua me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të gjashtë universiteteve partnere të projektit dhe kishte si qëllim forcimin e kompetencave profesionale të personelit universitar në zhvillimin, aplikimin dhe menaxhimin e projekteve evropiane, si dhe shkëmbimin e përvojave dhe praktikave ndërmjet institucioneve të arsimit të lartë.
Universiteti i Tiranës u përfaqësua në këtë aktivitet nga Prof. Dr. Anila Papristo, Zëvendësrektore e Universitetit të Tiranës; Dr. Erida Elmazi, Drejtore e Drejtorisë së Kërkimit Shkencor, Projekteve dhe Marrëdhënieve me Jashtë; Gerald Koçi, Drejtor i Drejtorisë së Teknologjisë, Inovacionit dhe Statistikave; Klaudia Pengili, Përgjegjëse e Degës së Projekteve dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Fakultetin e Drejtësisë; si dhe Anxhela Tato dhe Keti Balliu, Specialiste të Kërkimit Shkencor dhe Projekteve.
Programi i trajnimit përfshiu sesione tematike, prezantime, punëtori ndërvepruese dhe diskutime në grupe, të fokusuara në zhvillimin dhe menaxhimin e projekteve të financuara nga Bashkimi Evropian. Gjatë aktivitetit u trajtuan çështje që lidhen me hartimin e projektpropozimeve, menaxhimin e risqeve, financimin sipas modelit lump sum, planifikimin e ndikimit dhe qëndrueshmërinë e rezultateve të projekteve.
Vëmendje e veçantë iu kushtua shkëmbimit të praktikave ndërmjet universiteteve partnere, identifikimit të mundësive për bashkëpunim në kuadër të programeve Erasmus+ dhe Horizon Europe, si dhe zhvillimit të metodave bashkëpunuese për përmirësimin e proceseve të menaxhimit të projekteve.
Përmes aktiviteteve praktike, përfshirë metodologjinë World Café, pjesëmarrësit patën mundësi të diskutonin sfida konkrete, të ndanin përvojat e institucioneve të tyre dhe të identifikonin qasje të reja për mbështetjen e stafit akademik dhe administrativ në përgatitjen dhe zbatimin e projekteve evropiane.
Një element i rëndësishëm i kësaj jave trajnimi ishte vijimi i testimit dhe përmirësimit të modelit të Staff Training Week, të zhvilluar në kuadër të projektit EU-GaNoM, me synimin krijimin e një metodologjie të strukturuar dhe të transferueshme për ngritjen e kapaciteteve të personelit universitar.
Pjesëmarrja e Universitetit të Tiranës në këtë aktivitet kontribuoi në zhvillimin e mëtejshëm të kompetencave profesionale të personelit, forcimin e bashkëpunimit me universitetet partnere dhe shkëmbimin e praktikave në fushën e kërkimit shkencor, projekteve dhe marrëdhënieve ndërkombëtare.
Java e trajnimit në Murcia përfaqësoi një aktivitet të rëndësishëm në zbatimin e projektit EU-GaNoM, duke kontribuar në zhvillimin e materialeve trajnuese dhe metodologjive që synojnë të mbështesin institucionet e arsimit të lartë në përmirësimin e kapaciteteve të tyre për pjesëmarrje në programet evropiane.
https://euganom.eu/eu-ganom-staff-training-week-successfully-held-in-murcia-spain-20-24-april-2026/
