the European Union
Universiteti i Tiranës merr pjesë në javën e parë të trajnimit të projektit EU-GaNoM në Kalmar, Suedi
Universiteti i Tiranës mori pjesë në javën e parë të trajnimit (Staff Training Week), të organizuar nga Linnaeus University në Kalmar, Suedi, në kuadër të projektit EU-GaNoM – EU Grant advisors Network of Multipliers, i financuar nga programi Erasmus+ i Bashkimit Evropian.
Aktiviteti mblodhi 25 pjesëmarrës, përfaqësues të stafit administrativ, drejtues dhe kërkimor nga gjashtë universitete partnere të projektit, me synimin forcimin e kapaciteteve institucionale për zhvillimin dhe menaxhimin e projekteve evropiane.
Universiteti i Tiranës u përfaqësua në këtë aktivitet nga Prof. Dr. Anila Papristo, Zëvendësrektore e Universitetit të Tiranës; Dr. Erida Elmazi, Drejtore e Drejtorisë së Kërkimit Shkencor, Projekteve dhe Marrëdhënieve me Jashtë në UT; Gerald Koçi, Drejtor i Drejtorisë së Teknologjisë, Inovacionit dhe Statistikave; Zhaneta Muça, Specialiste e Kërkimit Shkencor dhe Projekteve; Klaudia Pengili, Përgjegjëse e Degës së Projekteve dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Fakultetin e Drejtësisë; dhe Tea Hysenaj, Specialiste për Marrëdhëniet Ndërkombëtare dhe Projektet në Fakultetin e Drejtësisë.
Gjatë trajnimit, pjesëmarrësit u përfshinë në sesione të përbashkëta, diskutime dhe aktivitete praktike, të fokusuara në zhvillimin profesional të personelit universitar, shkëmbimin e përvojave dhe përmirësimin e praktikave të mbështetjes së projekteve ndërkombëtare.
Një aspekt i rëndësishëm i aktivitetit ishte testimi i një modeli trajnimi që ndërthur përgatitjen online me aktivitetet në prani, si dhe të mësuarit përmes bashkëpunimit ndërmjet kolegëve nga institucione të ndryshme evropiane. Ky model synon të krijojë mundësi për zhvillimin e kompetencave profesionale dhe transferimin e njohurive brenda institucioneve pjesëmarrëse.
Përmes sesioneve trajnuese dhe shkëmbimit të praktikave, pjesëmarrësit patën mundësi të njiheshin me qasje dhe metoda të ndryshme për mbështetjen e projekteve të financuara nga Bashkimi Evropian, duke diskutuar gjithashtu sfidat dhe nevojat e institucioneve të arsimit të lartë në këtë fushë.
Pjesëmarrja e Universitetit të Tiranës në këtë aktivitet kontribuoi në forcimin e bashkëpunimit me universitetet partnere dhe në zhvillimin e mëtejshëm të kompetencave të personelit të angazhuar në kërkimin shkencor, projektet dhe marrëdhëniet ndërkombëtare.
Java e trajnimit në Kalmar përfaqësoi një nga aktivitetet kryesore të projektit EU-GaNoM, duke kontribuar në zhvillimin e një modeli trajnimi që mund të përshtatet dhe të përdoret nga institucionet e arsimit të lartë për ngritjen e kapaciteteve të personelit universitar.
https://euganom.eu/first-eu-ganom-staff-training-week-held-at-linnaeus-university-in-sweden/



