Më 6 tetor 2026, Universiteti i Tiranës mori pjesë në Konferencën Finale të projektit evropian EU-GaNoM (EU Grant Advisors Network of Multipliers), të financuar nga programi Erasmus+ i Bashkimit Evropian. Konferenca u zhvillua në Nantes, Francë, nën organizimin e Nantes Université, institucioni koordinator i projektit.
Universiteti i Tiranës u përfaqësua nga Dr. Erida Elmazi, Drejtore e Drejtorisë së Kërkimit Shkencor, Projekteve dhe Marrëdhënieve me Jashtë; Gerald Koçi, Drejtor i Drejtorisë së Teknologjisë, Inovacionit dhe Statistikave; Klaudia Pengili, Përgjegjëse e Zyrës së Marrëdhënieve me Jashtë dhe Projekteve në Fakultetin e Drejtësisë; si dhe Keti Balliu, Specialiste e Kërkimit Shkencor dhe Projekteve në Universitetin e Tiranës.
Në konferencë mori pjesë gjithashtu Prof. Asoc. Dr. Eglantina Gishti, në përfaqësim të Aleancës Evropiane Universitare UNINOVIS.
Konferenca shënoi një moment të rëndësishëm në përmbylljen e projektit, duke bërë bashkë universitetet partnere për prezantimin e rezultateve të arritura gjatë dy viteve të zbatimit dhe diskutimin mbi përdorimin dhe qëndrueshmërinë e tyre në të ardhmen.
Gjatë konferencës u prezantuan tri rezultatet kryesore të projektit:
-
Modeli i Javëve të Trajnimit të Stafit (Staff Training Week Model), i zhvilluar për të mbështetur organizimin e aktiviteteve ndërkombëtare të trajnimit dhe shkëmbimin e praktikave ndërmjet universiteteve.
-
Materialet e trajnimit për specialistët e projekteve evropiane (Project Officers’ Training Materials), të hartuara për forcimin e kompetencave profesionale në zhvillimin dhe menaxhimin e projekteve evropiane.
-
Transferueshmëria e rezultateve të projektit (Deliverables’ Transferability), me fokus përshtatjen dhe përdorimin e modeleve dhe materialeve të zhvilluara nga institucione të tjera të arsimit të lartë.
Një pjesë e rëndësishme e konferencës iu kushtua tryezës së rrumbullakët me temë “European Research and Education Projects with a European Alliances Perspective”, e cila trajtoi rolin e aleancave universitare evropiane në zhvillimin e projekteve të përbashkëta, forcimin e kapaciteteve institucionale dhe krijimin e mekanizmave të qëndrueshëm për bashkëpunimin ndëruniversitar.
Në këtë tryezë morën pjesë Dr. Erida Elmazi dhe Prof. Asoc. Dr. Eglantina Gishti, duke sjellë perspektivën e Universitetit të Tiranës dhe të Aleancës UNINOVIS mbi rëndësinë e bashkëpunimit evropian, integrimin e projekteve ndërkombëtare në strategjitë institucionale dhe zhvillimin e kapaciteteve për kërkimin shkencor dhe ndërkombëtarizimin.
Projekti EU-GaNoM, i zbatuar gjatë periudhës 1 nëntor 2024 – 31 tetor 2026, bashkoi gjashtë universitete partnere: Nantes Université (Francë), Linnaeus University (Suedi), Universidad de Murcia (Spanjë), Universitetin e Tiranës (Shqipëri), University of Crete (Greqi) dhe Taras Shevchenko National University of Kyiv (Ukrainë).
Përmes aktiviteteve të zhvilluara, projekti kontribuoi në forcimin e kapaciteteve të stafit administrativ dhe specialistëve të projekteve evropiane, duke promovuar shkëmbimin e njohurive, zhvillimin profesional dhe bashkëpunimin ndërinstitucional.
Pjesëmarrja e Universitetit të Tiranës në EU-GaNoM pasqyron angazhimin e institucionit për ndërkombëtarizimin, forcimin e kapaciteteve profesionale dhe zhvillimin e partneriteteve të qëndrueshme me universitetet evropiane. Rezultatet e projektit përbëjnë një bazë të rëndësishme për vijimin e bashkëpunimit dhe zhvillimin e iniciativave të reja edhe pas përfundimit të tij.
Për më shumë informacion mbi konferencën finale:
Për më shumë informacion mbi projektin Eu-GaNoM:
