Universiteti i Tiranës rrit Bashkëpunimin me Universitetin “Nënë Tereza” të Shkupit, Rektori i UT Prof. Dr. Mynyr Koni firmos marrëveshjen e bashkëpunimit. - UNIVERSITETI I TIRANËS

Universiteti i Tiranës rrit Bashkëpunimin me Universitetin “Nënë Tereza” të Shkupit, Rektori i UT Prof. Dr. Mynyr Koni firmos marrëveshjen e bashkëpunimit.

Universiteti i Tiranës rrit Bashkëpunimin me Universitetin “Nënë Tereza” të Shkupit, Rektori i UT Prof. Dr. Mynyr Koni firmos marrëveshjen e bashkëpunimit.

 

Universiteti i Tiranës dhe Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup do të bashkëpunojnë ngushtë në fushën akademike dhe kërkimin shkencor. Rektori i Universitetit të Tiranës Prof. Dr. Mynyr Koni, i shoqëruar nga Dekani i Fakultetit të Shkencave të Natyrës Prof. Dr. Spiro Drushku dhe anëtari i Senatit Akademik të UT Prof. Dr. Edmond Dragoti, në datën 5 Mars 2018 vizitoi Universitetin “Nënë Tereza” në Shkup, një universitet i ri në shtetin fqinj ku procesi mësimor dhe akademik zhvillohet tërësisht në gjuhën shqipe. 
Gjatë kësaj vizite, Rektori i UT Prof. Dr. Mynyr Koni dhe Rektori i Universitetit “Nënë Tereza” të Shkupit Prof. Dr. Azis Pollozhani firmosën marrëveshjen e bashkëpunimit, e cila do të sjellë më afër stafet dhe studentët e të dy universiteteve. Kjo marrëveshje u firmos në prag të festimeve për 131-vjetorin e hapjes së Mësonjtores së parë në gjuhën shqipe. 
Gjatë takimit me homologun e vetë si edhe stafet akademike të Universitetit “Nënë Tereza”, Rektori i UT Prof. Dr Mynyr Koni vlerësoi punën e bërë për ngritjen e këtij universiteti, i cili mban dhe emrin e shenjtores së madhe shqiptare Nënë Tereza, si dhe premtoi ndihmën e plotë dhe të pakushtëzuar të Universitetit të Tiranës për zhvillimin e tij të mëtejshëm. Marrëveshja e bashkëpunimit mundëson shkëmbimet e stafeve akademike, shkëmbimin e përvojës, pjesëmarrjen në projekte ndërkombëtare, etj. 
Nga ana e vetë, Rektori i Universitetit “Nënë Tereza” të Shkupit, Prof. Dr. Azis Pollozhani vlerësoi marrëveshjen e arritur si dhe e vuri theksin në rolin e Universitetit të Tiranës në të gjithë hapësirën mbarëshqiptare. Ai kërkoi fuqizimin e këtij bashkëpunimi me rëndësi të veçantë. 
Gjithashtu, gjatë një ceremonie të organizuar në mjediset e Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup me rastin e hapjes së shkollës së parë shqipe, Rektorit të Universitetit të Tiranës Prof. Dr. Mynyr Koni iu akordua “Medalja e Mirënjohjes” nga Rektori i UNT Prof. Dr. Azis Pollozhani. Në këtë ceremoni mori pjesë dhe Zv. Ministri i Arsimit dhe Shkencës së Maqedonisë Z. Arbër Ademi i cili vlerësoi kontributin e Rektorit të UT për arsimin e lartë në gjuhën shqipe. 
Në fjalën e tij gjatë kësaj ceremonie, Rektori i UT vlerësoi rolin e universiteteve shqipfolëse në të gjithë hapësirën mbarëshqiptare. Prof. Dr. Mynyr Koni tha se Universiteti i Tiranës kërkon të mbështesë më tej këto universitete. Në këtë aspekt, Rektori i Universitetit të Tiranës bëri të ditur se UT po planifikon të mbledhë në një tryezë të rrumbullakët në Tiranë të gjitha universitetet shqipfolëse për të mundësuar një bashkëpunim të ngushtë në respekt të përmirësimit, zhvillimit, arsimimit, dhe përparimit të kombit shqiptar.