UT, 12 mijë studentë në një ceremoni diplomimi të përbashkët !
Mbi 12 mijë studentë të 7 njësive përbërëse të Universitetit të Tiranës u diplomuan mbrëmë në një ceremoni të përbashkët në Stadiumin “Air Albania”. Studentët ishin diplomuar në vitet akademike 2020-2021 dhe 2021-2022. Më herët, për tre vjet me radhë, nuk ishin zhvilluar ceremoni diplomimi për shkak të kushteve kufizuese të detyruara nga pandemia e coronavirusit.
Rektori i Universitetit të Tiranës, Prof. Dr. Artan Hoxha, e cilësoi ceremoninë një festë të madhe për studentet e diplomuar, famijtet e tyre dhe vetë universitetin. Ai theksoi se UT është institucioni më i madh i arsimit të lartë, ndërsa studentët e tij një model të rinisë shqiptare, të cilët i ftoi të punojë për ti shërbyer vendit të tyre, për ta bërë më të mirë e më të bukur.
E ftuar speciale në këtë ceremoni, ish Përfaqësuesja e Lartë për Politikë të Jashtme të BE-së, Federika Mogerini, përshendeti ceremoninë duke thënë se kjo rini, është ajo që do të duhet të marrë stafetën e drejtimit të vendit dhe ta çojë atë drejt objektivit të përbashkët, integrimit në BE. Ndërsa Ministrja e Arsimit dhe Sporteve, Evis Kushi, u bëri thirrje të sapodiplomuarve që të përfitojnë nga programet e punësimit që ofrohen, si nga institucionet publike ashtu dhe kompanitë private.
Edhe vetë studentët që përshendetën në ceremoni, u bënë apel bashkëmoshatarëve të tyre që të vazhdojnë të studiojnë edhe pas diplomimit, për ti shërbyer formimit të tyre profesional e akademik. Ata u bënë thirrje, që para se të vendosin të lënë vendin e tyre, të mendojnë se kanë detyrimi ndaj tij, dhe duhet të qëndrojnë e punojnë për ta bërë atë më të mirë.