UT, marrëveshje bashkëpunimi me IdentiTek! - UNIVERSITETI I TIRANËS

UT, marrëveshje bashkëpunimi me IdentiTek!

Universiteti i Tiranës dhe kompania shtetërore IdentiTek, prodhues dhe shpërndarës i vetëm shtetëror i dokumenteve biometrike, nënshkruan një marrëveshje bashkëpunimi me interes të përbashkët.

Bashkëpunimi do të përqëndrohet kryesisht në:
-Organizimin e praktikave profesionale për studentët e UT.
-Përfshirjen e studentëve dhe pedagogëve në projekte të lidhura me IT, sigurinë kibernetike, analiza profesionale etj.
-Realizimin e aktiviteteve të përbashkëta shkencore.
-Studime dhe projekte pilot në fushën e identitetit elektronik, inteligjencës artificiale, etj.

Të dy institucionet ranë dakord për angazhimet reciproke. Konkretisht, IdentiTek, merr përsipër dhënien e informacionit dhe lehtësimin e procedurave për kryerjen e praktikave, ndërsa UT do të identifikojë studentët dhe stafin akademik që do të përfshihen në praktika e projekte.
Marrëveshja u nënshkrua nga Rektori i UT, Prof. Dr. Artan Hoxha dhe Znj. Silda Anagnosti Çepe, Administrator i kompanisë IdentiTek.

Kjo është në vijimin e marrëveshjeve që UT nënshkruan me institucione si dhe kompani publike e private, për të lehtësuar marrëdhëniet mes universitetit dhe aktorëve të tregut të punës, për aftësimin e studentëve, punësimin e tyre dhe angazhimin në projekte të përbashkëta kërkimore.

Uni Education by Shark Themes