UT organizon “Konferenca Shkencore Ndërkombëtare Studentore” - UNIVERSITETI I TIRANËS

UT organizon “Konferenca Shkencore Ndërkombëtare Studentore”

Sot, më 18 maj 2023, u zhvillua dita e parë e Konferences Shkencore Ndërkombëtare Studentore me temë “Kërkimi shkencor dhe edukimi në perspektivën e studentëve dhe studiuesve të rinj- UT flet me zërin e studentëve”.

Konferenca u çel nga Zv. Dekania e Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë, Dr. Elsa Skënderi, njëherazi kryetare e komitetit organizativ të konferencës, e cila falenderoi të gjithë studiuesit e rinj nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe vende të tjera të Europës që iu bashkuan Konferencës me kontributet e tyre kërkimore-shkencore. Pjesëmarrësit në konferencë, ajo i cilësoi si aset të botës sonë akademike dhe krenari të punës e përkushtimit të profesoratit tonë.

Rektori i Universitetit, Prof. dr. Artan Hoxha, përgëzoi studentët për punën kërkimore dhe përkushtimin që kanë treguar gjatë organizimit të Konferencës. Gjithashtu Rektori i UT-së, u shpreh se “Ne duam të prezantojmë gjeneratën e të rinjve të talentuar, atyre që kanë vullnet të studiojnë dhe punojnë, atyre që kanë zgjedhur të kontribojnë në fushën e vështirë dhe të bukur të shkencës. Ndaj unë gjej rastin tju falenderoj sërish, jo vetëm për punën që ju keni bërë, por edhe për mesazhin e madh që përcillni sot, e për të cilin ka kaq shumë nevojë shoqëria jonë, e veçanërisht të rinjtë tanë. Ju jeni sot modeli i rinisë tonë dhe për këtë unë jam sinqërisht shumë i kënaqur”

Konferencën e nderoi me pjesëmarrjen e saj, Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Prof. dr. Evis Kushi. Ajo u shpreh se Universiteti i Tiranës është gjithmonë avantgardë dhe ka punuar shumë në procesin e ndërkombëtarizimit, çka vihet re dhe nga pjesëmarrja e studentëve të huaj në Konferencë. Gjithashtu, ajo theksoi rëndësinë e angazhimit të të rinjve në kërkim shkencor.

I pranishëm ishte dhe Rektori i Universitetit të Prishtinës, i cili theksoi se kjo konferencë shumë domethënëse shtron ura gjeografike, por gjithashtu nxit unitetin intelektual. Kjo është me të vërtetë një platformë unike ku zërat e intelektualëve tanë të rinj dhe hulumtuesve në zhvillim marrin prominencën që me të vërtetë meritojnë.

Studentja, Alkida Myftaraj, falenderoi të gjithë stafin pedagogjik dhe administrativ, rektoratin dhe Komitetin Organizativ për punën e bërë gjatë këtyre muajve, teksa përshkroi procesin e punës dhe arritjet e pritshme të Konferencës.

Në seancën e dytë, paneli me të ftuar nderi për temën “Metoda bashkëkohore të kërkimit shkencor dhe rëndësia e angazhimit të të rinjve në kërkimin shkencor”: Prof. Asoc. Linda Pustina, (këshilltare e zv.kryeministres), Prof. Asoc. Ardian Gola nëpërmjet një video-konference(kryetar i Komisionit Parlamentar për Arsim, Kuvendi i Republikës së Kosovës), Znj. Mirela Muça, (Drejtor i Përgjithshëm i Agjencia Kombëtare e Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit) u moderua nga studentja Stelina Ndreu dhe Prof. Dr. Anila Paparisto (zv/rektore UT).

Në këtë diskutim, studentët morën këshilla dhe informacion mbi kërkimin shkencor dhe projektet rinore.

Dita e dytë e konferencës do të zhvillohet më 19 maj, ku studentët e studiuesit e rinj do të prezantojnë punimet e tyre kërkimore-shkencore në seanca tematike.

UT flet me zërin e studentëve!