Vizita e Rektorit të Universitetit të Tiranës Prof. Dr. Mynyr Koni në Kanada, për firmosjen e Magna Charta - UNIVERSITETI I TIRANËS

Vizita e Rektorit të Universitetit të Tiranës Prof. Dr. Mynyr Koni në Kanada, për firmosjen e Magna Charta

 
Me ftesë të Presidentit të Observatorit të MagnaCharta, Prof. Sijbolt Noorda, Rektori i Universitetit të Tiranës, Prof. Dr. Mynyr Koni, mori pjesë në konferencën shkencore dy ditore 16-17 Tetor 2019, të organizuar në McMaster University, Hamilton, Kanada, me temë “Liritë dhe përgjegjësitë universitare: përgjigjet ndaj sfidave të së ardhmes”.
Në këtë konferencë, morën pjesë Rektorë dhe personalitete nga shumë universitete Europiane dhe të Amerikës së Veriut.
Në këtë kuadër, në datë 17.10.2019, në Universitetin McMaster u organizua një ceremoni, gjatë së cilës, Rektori i Universitetit të Tiranës, Prof.Dr.Mynyr Koni, firmosi dokumentin MagnaCharta Universitatum.
Tashmë, Universiteti i Tiranës, është zyrtarisht anëtar i komunitetit më të madh universitar “Magna Charta Observatory”.
Ceremonia u hap me përshëndetjen e “Leiutnant Governor” të Ontarios në Kanada, Elizabeth Dowdeswell, dhe vazhdoi me fjalimet nga Presidenti i McMaster University, David Farrar dhe Rektori i Universitetit të Bolonjës, Francesco Ubertini.
Parimet themelore të këtij dokumenti parashikojnë se universiteti është institucion autonom, në zemër të shoqërive të organizuara ndryshe, për shkak të shtrirjes gjeografike dhe të trashëgimisë kulturore. Sipas këtij dokumenti, midis të tjerave, theksohet se universiteti përgatit, zhvillon, vlerëson dhe transmeton kulturën nëpërmjet hulumtimit dhe mësimdhënies dhe se, për t’i përmbushur nevojat e shoqërisë rreth tij, hulumtimi dhe mësimdhënia duhet të jenë moralisht, ligjërisht dhe intelektualisht të pavaruara nga autoriteti politik dhe nga fuqia ekonomike.
Gjatë kësaj ceremonie, Rektori i Universitetit të Tiranës, Prof. Dr. Mynyr Koni, shprehu kënaqësinë që tashmë edhe Universiteti i Tiranës po i bashkohet “Magna Charta Observatory” në mënyrë që, parimet themelore universitare dhe liria akademike, të forcohen sa më shumë edhe në UT.
Rektori i Universitetit të Tiranës, pati një sërë takimesh edhe me homologë të tjerë nga universitete Euopiane dhe të Amerikës së Veriut, ku u diskutua gjerësisht mbi mundësitë e bashkëpunimit dhe të shkëmbimit të eksperiencave, të cilat do t’i shërbejnë përballimit me sukses të sfidave të mëdha që ka sot Universiteti i Tiranës.