Vizita e Rektorit të Universitetit të Tiranës, Prof. Dr. Mynyr Koni, në Universitetin e Torinos, Itali – UNIVERSITETI I TIRANËS

Vizita e Rektorit të Universitetit të Tiranës, Prof. Dr. Mynyr Koni, në Universitetin e Torinos, Itali

Rektori i Universitetit të Tiranës, Prof. Dr. Mynyr Koni, zhvilloi ditën e mërkurë, datë 19 qershor 2019, një vizitë në Universitetin e Torinos në Itali, me ftesë të Rektorit të këtij Universiteti Prof. Gianmaria Ajani. Kjo vizitë vjen pas një bashkëpunimi midis të dy universiteteve jo vetëm në kuadrin e programit Erasmus dhe programeve të tjera të përbashkëta, por edhe për të shtrirë më tej këtë bashkëpunim.

Në këtë takim Rektori i Universitetit të Tiranës shoqërohej nga Dekani i Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë, Prof. Dr. Sabri Laçi, Dekani i Fakultetit të Gjuhëve të Huaja, Prof. Dr. Artur Sula, si edhe senatorja Prof. Dr. Esmeralda Kromidha.

Rektorët e të dy universiteteve në takimin që patën diskutuan nga afër hapat e tjerë. Në këtë kuadër, u firmos një marrëveshje bashkëpunimi, e cila do t’i hapë rrugë mundësisë për hapjen e programeve të përbashkëta të studimit. Më konkretisht, Prof. Koni dhe Prof. Ajani shprehën angazhimin e tyre për hapjen e një programi të përbashkët studimi, në ciklin e dytë, në fushën e gjuhëve moderne dhe komunikimit pranë Fakultetit të Gjuhëve të Huaja.

Gjithashtu, u ra dakord që të dy universitetet të rrisin fushat e shkëmbimeve në projektet e programit Erasmus + për studentët dhe stafin.