Sot me datë: 17 janar 2017 Rektori i Universitetit të Tiranës Prof. Dr. Mynyr Koni zhvilloi pranë ambienteve të Ambasadës së Rumanisë në Shqipëri një takim pune me Ambasadorin e Rumanisë në Republikën e Shqipërisë SH. T. Z. Mircea Perpelea.
Gjatë këtij takimi u realizua nënshkrimi i marrëveshjes ndërinstitucionale në kuadër të programit Erasmus+, midis Universitetit të Tiranës dhe Universitetit Kombëtar të Studimeve Politike dhe Adiministrimit Publik, Bukuresht. Në kuadër të kësaj marrëveshjeje Universiteti i Tiranës përfiton mundësi mobiliteti për të tre ciklet e studimit specifikisht 5 studentë për të tre ciklet së bashku për 5 muaj secili si edhe për trajnimin apo mësimdhënien e stafit akademik dhe administrativ, përkatësisht 4 anëtarë të stafit për trajnim dhe 4 anëtarë të tjerë të stafit për mësimdhënie.
Në përfundim të takimit, Ambasadori Perpelea shprehu gadishmërinë e tij të plotë për rritjen dhe thellimin e mundësive të bashkëpunimit midis Universitetit të Tiranës dhe universiteteve të tjera të Bukureshtit, ku gjeti gjithashtu mbështetjen maksimale edhe të Prof. Dr. Mynyr Koni, Rektorit të UT-së.