Takimi mbi nënshkrimin e marrëveshjes në Prishtinë
Universiteti i Tiranës (UT) dhe Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” (UP), si dy universitetet më të mëdha shqipfolëse në vendet tona, nënshkruan më datë 06.07.2021 Marrëveshjen e Bashkëpunimit me qëllim nxitjen, zhvillimin e shkencës, artit, edukimit fizik dhe sportit, formimin e specialistëve, përgatitjen e shkencëtarëve të rinj, në përputhje me prioritetet e zhvillimit të vendeve.
Të dy palët do të bashkëpunojnë për hartimin, aplikimin dhe/ose zbatimin e projekteve të përbashkëta, organizimin e aktiviteteve të ndryshme si: debate, konferenca, simpoziume, workshop-e, shkolla verore dhe dimërore, në fusha të ndryshme të shkencës, lehtësimin e procedurave të transferimit të studentëve ndërmjet universiteteve si dhe lejimin e shkëmbimeve afatshkurtëra të stafit akademik/ administrativ dhe studentëve.
Në kuadër të integrimit evropian dhe lëvizjes së lirë, që të dy vendet synojnë, duhet nisur në radhë të parë me “integrimin më të mirë me njëri-tjetrin” dhe të jemi së bashku për të gjitha sfidat e arsimit të lartë.
Të dy Rektorët e universiteteve shprehën besimin se ky bashkëpunim do të jetë efektiv dhe afatgjatë.