Akademik Rexhep Ismajli nderohet nga Universiteti i Tiranës me titullin “Doctor Honoris Causa” - UNIVERSITETI I TIRANËS

Akademik Rexhep Ismajli nderohet nga Universiteti i Tiranës me titullin “Doctor Honoris Causa”

Akademiku Rexhep Ismajli u nderua sot nga Universiteti i Tiranës me titullin “Doctor Honoris Causa”. Në një ceremoni të posaçme, e organizuar në Godinën “Liria”, titulli i nderit i’u dorëzua Akademikut të shquar Rexhep Ismajli, me motivacionin: “Për kontribut të shquar në fushën e studimeve të shqipes së sotme, historisë së saj, marrëdhënieve me gjuhët ballkanike, studimeve gjuhësore në gjuhësi të përgjithshme dhe filologji”.

Ky titull u dorëzua nga Rektori i UT, Prof. Dr. Artan Hoxha, i cili u shpreh se: “Është nder që sot kemi këtu një prej figurave më të shquara të gjuhësisë, por jo vetëm. 115 vjet më parë një grup dijetarësh, burrash të mençur, patriotë e atdhetarë, përcaktuan për herë të parë alfabetin e gjuhës shqipe, një prej gjuhëve më të vjetra në Evropë. Por kontributi i Gjergj Fishtës, Ndre Mjedës, Mati Logorecit, Luigj Gurakuqit, Hilë Mosit, Petro Nini Luarasit, Sotir Pecit e Bajo Topullit u pasua nga puna e të tjerë atdhetarëve dhe mendimtarëve që i’u kushtuan jetën e tyre studimit, pasurimit dhe ngritjes në piedestalin që meriton si ndër gjuhët më të pasura në botë. Një prej atyre njerëzve është sot mes nesh, Akademik Rexhep Ismajli”.

Akademiku Ismajli, në fjalën e tij përshëndetëse vlerësoi dhe falenderoi Universitetin e Tiranës për këtë titull që i jepet. Ndër të tjera, i emocionuar u shpreh se dashuria dhe pasioni për gjuhën shqipe, që lindi në vendlindjen e tij në Preshevë, shënon sot me këtë titull një ndër kapitujt më nderues të jetës time akademike.

Rexhep Ismajli është figurë poliedrike, si studiues, krijues dhe përkthyes. Ai ka lindur në Preshevë më 1947 dhe studioi për gjuhë dhe letërsi në Prishtinë më 1971. Në vitet 1971-1973 u specializua për gjuhësi në Sorbonne, Paris. Më 1972 filloi punën asistent, pastaj ligjërues, profesor për lëndët Gjuhësi e përgjithshme dhe Histori e gjuhës shqipe në Degën e Gjuhës Shqipe të Fakultetit Filozofik/Filologjik të Universitetit të Prishtinës. Ka dhënë mësim në disa universitete europiane dhe deri në vitin 2000 ka qenë në Mynih, duke dhenë leksione në fushën e Albanologjisë. Kthehet në Prishtinë dhe i përkushtohet mësimdhënies në Universitetin e Prishtinës. Anëtar i disa akademive shkencore, autor i shumë studimeve mbi gjuhësinë. Gjithashtu, ai ka dhënë kontribut për të sjellë në gjuhën shqipe edhe shumë autor të letërsisë së vendeve të rajonit dhe Evropës.