Fakulteti i Ekonomisë është formuar në vitin 1952, me emrin Instituti i Lartë i Ekonomisë. Që prej vitit 1957, me krijimin e Universitetit të Tiranës, ai u përfshi në atë Universitet me emrin Fakulteti i Ekonomisë. Në atë kohë Fakulteti i Ekonomisë ofronte diploma vetëm në dy degë: degën e Ekonomisë dhe degën e Kontabilitetit.
Gjatë viteve që pasuan Fakulteti i Ekonomisë u zgjerua dhe në vitin 1990 ai ofronte diploma në gjashtë degë: Ekonomist për Industrinë, Ekonomist për Financë, Ekonomi Politike, Ekonomist për Tregtinë, Ekonomist për Statistikë dhe Merceologji. Deri në vitin akademik 1990- 1991 programet mësimore të Fakultetit të Ekonomisë kanë qenë ndërtuar mbi bazën e parimeve të ekonomisë të centralizuar dhe kanë qenë të orientuar drejt përvojës së universiteteve lindore.
Gjatë periudhës 1991-2006, e cila përputhet me periudhën e transformimit drejt ekonomisë së tregut, Fakulteti i Ekonomisë është riorganizuar dhe ristrukturuar rrënjësisht në formë dhe përmbajtje. Ai është institucioni më i vjetër, i cili ofron diploma në fushën e ekonomisë, biznesit, marketingut, turizmit, etj.
Fakulteti synon që t’u japë studentëve një sistem bazë njohurish formuese në fushën e menaxhimit, marketingut, financë-kontabilitetit, në fushën e bazave të të dhënave, programimit, multimedias, etj, për formimin e specialistëve të aftë për të punuar në fushat përkatëse në subjekte të sektorit privat, të sektorit shtetëror, të sektorit jofitimprurës dhe për realizimin e studimeve të avancuara në këto fusha.
Për realizimin e këtyre objektivave, programi parashikon studime në fusha të tilla si ato të menaxhimit, të marketingut, të financës, të kontabilitetit, të informatikës dhe të statistikës, të mikro dhe makroekonomisë, të legjislacionit tregtar, statistikë, ekonometri, matematikë e zbatuar në ekonomi, mikroekonomi dhe makroekonomi, etj.
Aktualisht, Fakulteti operon në bazë të programeve të reja mësimore, në përputhje me programet e shkollave perëndimore, bazuar në Deklaratën e Bolonjës dhe të përshtatura ndaj kushteve konkrete të vendit tone, duke ofruar programe studimi në të tre ciklet: Bachelor, Master dhe Doktoraturë. Fakulteti i Ekonomisë ka në përbëjren e tij 6 departamente: Departamenti i Financës, Departamenti i Kontabilitetit, Departamenti i Menaxhimit, Departamenti i Marketingut, Departamenti i Ekonomiksit dhe Departamenti i Statistikës dhe Informatikës së Zbatuar.
Fakulteti ka një parneritet me një sërë institucionesh për kryerjen e praktikave mësimore të studentëve apo për punësimin e tyre, si me Kontrollin e Lartë të Shtetit, Bankën e Shqipërisë, Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë, Institutin e Statistikave, Agjensinë e Mbikqyrjes Financiare, Dhomat e Tregtisë, etj.
Në Fakultet funksionon Zyra e Karrierës e cila synon të mbështesë dhe të inkurajojë studentët dhe Alumnin në zhvillimin e potencialit të tyre për një përqasje më të mirë në tregun e punës duke rritur kështu numrin e të punësuarve në fushën e tyre të studimit. Ky mision vendoset në jetë së pari duke pasuruar eksperiencën studentore, në vijim me punë për t’i përgatitur studentët për kalimin në tregun e punës dhe më pas duke mundësuar ndërmjetësimin me këtë treg! Kjo zyrë organizon Panairin e përvitshëm të Punës pranë Fakultetit të Ekonomisë
Fakulteti ka Bibliotekën e vet me një fond të konsiderueshëm librash dhe me një sallë të madhe studimi.
Organizimi
Departamentet:
-
Departamenti i Ekonomiksit
-
Departamenti i Financës
-
Departamenti i Kontabilitetit
-
Departamenti i Marketingut
-
Departamenti i Menaxhimit
-
Departamenti i Statistikës dhe Informatikës së Zbatuar
Fakulteti i Ekonomisë ofron programet e studimit në të tre ciklet: “Bachelor”; “Master i Shkencave”; “Master Profesional” si dhe studime në ciklin e tretë “Master Ekzekutiv në Siguri Informacioni dhe Informacion Strategjik” dhe “Doktoraturë”.
Drejtuesit e Njësisë Kryesore dhe Bazë të Fakultetit të Ekonomisë (FE):
-
Prof. Asocc. Dr. Bernard DOSTI , Dekan
-
Prof. Asoc. Dr. Etleva BAJRAMI, Zv. Dekan
-
Prof. Dr. Kozeta SEVRANI, Zv. Dekan
-
Prof. Asoc.Dr. Ledjon SHAHINI, Departamenti Ekonomiks
-
Prof. Asoc.Dr. Mirela MITI, Departamenti i Kontabilitetit
-
Prof. Asoc.Dr. Etleva LESKAJ, Departamenti i Manaxhimit
-
Prof. Asoc.Dr. Mirdaim AXHAMI, Departamenti Marketing -Turizëm
-
Prof. Asoc.Dr. Kreshnik VUKATANA, Departamenti Statistikë dhe Informatikë e Zbatuar
-
Prof. Dr. Dorina KRIPA, Departamenti i Financës
Arkiva: Drejtues FE (2020-2024 Gusht)