Konferenca Ndërkombëtare e Biznesit Social - UNIVERSITETI I TIRANËS

Konferenca Ndërkombëtare e Biznesit Social

Universiteti i Tiranë së bashku me Yunus Social Business organizuan më datë 6 Nëntor 2014, Konferencën Ndërkombëtare të Biznesit Social në sallën Aula Magna në Godinën Liria të Qytetit Studenti. Në këtë konferencë mori pjesë Rektori i Universitetit të Tiranës, Prof. Dr. Dhori Kule; Zv. Kryeministri i Shqipërisë, z. Niko Peleshi; Kryetari i Dhomës së Tregëtisë dhe Industrisë, z. Nikolin Jaka si edhe figura të tjera të njohura nga jeta politike, akademike dhe ajo ekonomike e vendit.

I ftuari i nderit në këtë konferencë ndërkombëtare ishte profesori i nderuar, Nobelisti për Paqen, Muhammad Yunus. Prof. Yunus ka lënë gjurmë të çmuara dhe ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në fushën e zhvillimit ekonomik dhe social duke i dhënë mundësi të reja komuniteteve në nevojë.

Fokusi kryesor i kësaj konference kishte të bënte me mundësitë dhe sfidat e sipërmarrjeve të biznesit social në Shqipëri. Në fjalën e tij Rektori i Universitetit të Tiranës nënvizoi rolin e rëndësishëm që ka universiteti në transformimin e mjedisit social dhe ekonomik të vendit, duke theksuar se ‘‘njohja e studentëve me idenë e ndërmarrjeve sociale në fillim të karrierës së tyre universitare zgjeron horizontet e tyre të karrierës dhe u lejon atyre për të kuptuar idenë se puna nuk konceptohet thjesht si një pagë për të jetuar. Ajo u kujton atyre se punëdhënës të ndryshëm ofrojnë lloje të ndryshme të mundësive të punësimit. Ne nuk duhet që studentëve t’u japin thjesht një diplomë, por edhe një aftësi. Duke u konkretizuar kjo me sipërmarrjen sociale është e rëndësishme që universitetet të jenë në pararojë të krijimit dhe aftësimit të sipërmarrësve të rinj dhe shpirtit sipërmarrës tek ata’’.

Ndër të tjera Prof. Yunus theksoi se biznesi social i cili i referohet biznesit që përpiqet të zgjidhë problemet sociale, mund të jap një kontribut shumë të rëndësishem për arritjen e sfidave dhe të adresojë nevojat e shtresave më të varfra dhe në nevojë të shoqërisë shqiptare.