Konferencë për Shtyp e Rektorit të Universitetit të Tiranës Prof. Dr. Mynyr Koni - UNIVERSITETI I TIRANËS

Konferencë për Shtyp e Rektorit të Universitetit të Tiranës Prof. Dr. Mynyr Koni

Përshëndetje të gjithëve.

Jemi në përfundim të fazës së parë të raundit të parë nga ku kanë dalë edhe lista jopërfundimtare të fituesve për studimet universitare në Universitetin e Tiranës dhe në gjithë universitetet e vendit.

Dua të theksoj në krye të herës që Universiteti i Tiranës dhe të gjitha autoritetet drejtuese e kanë vlerësuar këtë moment me përgjegjësi maksimale dhe në kohë rekord brenda ditës së djeshme, të gjithë fakultetet kanë shpallur renditjen provizore në përputhje me Udhëzimin Nr. 13 datë 22.07.2016 të MAS për listën jopërfundimtarëve të kandidatëve fitues.

Nëpërmjet jush, dua të informoj publikun që Rektorati i Universitetit të Tiranës, pasi ka marrë bazën e të dhënave nga AKP, menjëherë ka vlerësuar situatën dhe ka organizuar punën në mënyrën specifike për të informuar pranë çdo fakulteti, pranë çdo departamenti ku administrohen programe të veçanta studimi. Për këtë qëllim janë ngritur komisionet e vlerësimit të aplikantëve në përputhje me Vendimin e Senatit Akademik të Universitetit të Tiranës Nr. 3 datë 28.01.2016. Gjithashtu në ndihmë të fakulteteve dhe pranë këtyre komisioneve janë ngritur grupe specialistësh me personel akademik nga departamentet e Universitetit të Tiranës, konkretisht nga Departamenti i Informatikës, Matematikës së Zbatuar në Fakultetin e Shkencave të Natyrës dhe Departamenti i Informatikës dhe Statistikës në Fakultetin e Ekonomisë. Shfrytëzoj rastin t’i falenderoj për mundin, kontributin që dhanë për përpunimin e rezultatit në përputhje me këto kritere. Kjo evidenton punën e palodhur të dekanëve dhe të drejtuesve të departameteve që bën të mundur këtë proces kaq delikat dhe sensibël për secilin aplikant- qytetar të Republikës së Shqipërisë.

Kam kënaqësinë të deklaroj përpara jush që në përfundim të kësaj faze, pasi ne kemi një bazë të dhënash tashmë të përpunuar dhe të publikuar në faqen zyrtare elektronike. Aplikimet në UT kanë qenë të një cilësie shumë të lartë. Natyrisht kjo ishte një gjë që pritej, por kur realizohet është një kënaqësi më e madhe. Nga ana tjetër dua të ve në dukje që në UT ka patur rreth 90 000 aplikime, nga të cilët në qoftë se do t’i identifikojmë në numër studentësh janë rreth 19 000 studentë, mesatarisht 5 aplikime për një studentë.

Një rëndësi të veçantë është çeshtja e ndjekjes së procedures e cila është pak delikate, si herë e parë e aplikimit të kësaj formule. Atëherë duke filluar nga dita e sotme, në bazë të Udhëzimin Nr. 13 datë 22.07.2016 të MAS të gjithë kandidatët të cilët kanë aplikuar kanë në faqet e fakulteteve listën e plotë të renditur sipas pikëve të vlerësuar nga komisionet përkatëse. Kështu që brenda këtyre 3 ditëve në përputhje me këtë udhëzim, secili kandidat mund t’i drejtohet fakulteteve nëse ka ndonjë pretendim mbi vlerësimin sipas kritereve që janë shpallur dhe formulës përkatëse.

Në këto kushte pasi të mbarojë ky proces, në datën 11 shtator 2016 del lista përfundimtare e fituesve, e cila ka afatin e parashikuar të rregjistrimit nga data 13 deri në datën 20 shtator 2016. Theksoj se regjistrimi bëhet online në portalin   e Maturës Shtetërore dhe fizikisht pranë fakulteteve ku ndodhet program i studimit.

Dua të veçoj një fakt shumë të rëndësishëm për të gjithë maturantët. Në rast se një maturant mund të ketë dalë fitues në 10 programe, tani është momenti që ai para 10 programeve të vendosë të rregjistrohet vetëm në një prej tyre sipas dëshirës dhe preferences së aplikantit. Kjo do të thotë që maturantët e tjerë që nuk e shohin veten në listat e para jopërfundimtare të fituesve, të jenë të qetë dhe të shpresojnë se do ketë zbritje dhe do të krijohet mundësia në mënyrë të vijueshme sipas raundit të dytë, që do fillojë menjëherë pas datës 20.

Universiteti i Tiranës përsëri do të ketë një komunikim me median pas datës 20 shtator 2016 dhe do japim dhe informacionet mbi kuotat e mbetura, të cilat do t’i raportojmë në Agjensinë Kombëtare të Provimeve. Do fillojmë raundin e dytë që është identik me të parin, ku secili nga kandidatët ka të drejtë përsëri të bëjë aplikimin dhe është e njëjta procedurë e cila ka afatet e saj. Ftoj të gjithë maturantët të jenë të qetë me vlerën që kanë, me punën që kanë bërë përgjatë viteve. Shpresojmë të marrin programin që u intereson.

Në këto kushte edhe njëherë, meqënëse është konferenca e parë për këtë vit akademik, dua të falenderoj gjithë stafin akademik dhe t’u uroj një vit të mbarë.

Ju faleminderit.