Leximi i veprës “Don Kishotit të Mançës” dhe ndarja e çmimeve të konkursit letrar - UNIVERSITETI I TIRANËS

Leximi i veprës “Don Kishotit të Mançës” dhe ndarja e çmimeve të konkursit letrar

Në datën 23 prill, ora 11.00, u zhvillua pranë Fakultetit të Gjuhëve të Huaja të Universitetit të Tiranës leximi i një prej kryeveprave botërore letrare “Don Kishoti i Mançës” i shkrimtarit spanjoll Miguel de Cervantes.

Ky aktivitet u zhvillua në kuadër të Javës së Letërsisë Spanjolle dhe Ditës Ndërkombëtare të Librit, që e ka origjinën e vet në Katalonjë të Spanjës në vitin  1923 dhe përkon me ditën e Sant Jordí-t.

Kjo është një ditë simbolike për letërsinë botërore pasi më 23 prill të vitit 1616 kanë vdekur shkrimtari i shquar spanjoll Miguel de Cervantes, si dhe dramaturgu i famshëm anglez William Shakespeare.

Në këtë aktivitet të organizuar nga Departamenti i Gjuhës Spanjolle në bashkëpunim me Ambasaden e Spanjës morën pjesë Rektori i Universitetit të Tiranës, Z. Dhori Kule, ambasadori i Francës, Z.  Bernard Fitoussi, zv/ambasadorja spanjolle, Znj.  Esther Martín Padrón, Dekania e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja, Znj. Klodeta Dibra, Dekani i Shkencave të Natyrës, Z. Mynyr Koni, etj.

“Dita e leximit të pjesëve të Don Kishotit të Servantesit” është një ditë e bukur ku dhe Shqipëria, sikurse vendet e tjera të botës, jep mesazhin e dashurisë për letërsinë siç e kanë dhënë këta autorë të mëdhenj të letërsisë botërore”, theksoi rektori i UT Prof. Dr. Dhori Kule përpara studentëve.

Kurse dekania e FGJH, znj. Dibra, vuri theksin se ky aktivitet, i kthyer tashmë në traditë, duke u zhvilluar 6-7 vitet e fundit në Ditën botërore të Letërsisë, ka për qëllim të nxisë tek të rinjtë kënaqësinë dhe vullnetin për të lexuar dhe zbuluar vlerat e librit, që po përballet me vështirësi të mëdha për shkak të teknologjivë të reja.

Aktiviteti vijoi me leximin e pjesëve të zgjedhura nga Don Kishoti ku spikati leximi në shqip nga Rektori i UT, Z. Dhori Kule, në spanjisht nga ambasadori francez, Fitoussi, një adhurues i gjuhës spanjolle, në gjuhen kineze nga lektorja kineze Han Juan dhe në italisht nga dekania Dibra.

Libri u lexua në spanjisht nga pedagogë e studentë të gjuhës spanjolle si dhe nxënës të shkollës nëntëvjeçare “Ylber” të Tiranës. Secilit nga lexuesit iu dhurua një trëndafil i kuq.

Në fund të ceremonisë u ndanë dhe çmimet për konkursin për krijimin letrar ku vendin e parë e zuri studentja Flavia Seferi me tregimin “A vosotras”, e ndjekur nga Sindi Baxhaku me “Corazón de Hielo” dhe në vendin e tretë u rendit Roberta Haxhiu me “Mi doble vida”.