Nënshkrimi i marrëveshjes së Bashkëpunimit midis Universitetit të Tiranës dhe Qendrës Ndërkombetare për Rrjetin e Astrofizikës Relative (ICRANET). - UNIVERSITETI I TIRANËS

Nënshkrimi i marrëveshjes së Bashkëpunimit midis Universitetit të Tiranës dhe Qendrës Ndërkombetare për Rrjetin e Astrofizikës Relative (ICRANET).

Në datën 23 Mars 2018, në Sallën e Senatit Akademik të Universitetit të Tiranës u nënshkrua marrëveshja e bashkëpunimit midis Universitetit të Tiranës dhe Qendrës Ndërkombetare për Rrjetin e Astrofizikës Relative (ICRANET). 

Në këtë aktivitet ishin të pranishëm Rektori i Universitetit të Tiranës Prof. Dr. Mynyr Koni, Prof. Remo Ruffini, Drejtori i ICRANET, Ambasadori i Italisë në Tiranë, Sh.T.Z. Alberto Cutillo, pedagogë të Fakultetit të Shkencave të Natyrës, studentë të degës së fizikës si dhe shumë të ftuar të tjerë. 

Marrëveshja e bashkëpunimit ka si qëllim promovimin e aktiviteteve hulumtuese teorike dhe vëzhguese në fushën e Astrofizikës Relative midis Universitetit të Tiranës dhe ICRANet. 

Gjatë fjalës së tij, Rektori Prof. Dr. Mynyr Koni vlerësoi krijimin e marrëdhënieve për bashkëpunime të frytshme në fushën e astrofizikës dhe astrofizikës relative. Kjo marrëveshje do t’i hapte rrugë iniciativave të reja që studentët e UT-së do të kenë mundësi të studiojnë dhe realizojnë kërkime shkencore pranë kësaj qendre. Gjithashtu, Rektori Koni vlerësoi ndihmën që ICRANET dhe Ambasada Italiane në Tiranë do të ofrojnë për krijimin e Qendrës së Observatorit të Astrofizikës në Universitetin e Tiranës. 
Prof. Remo Ruffini vlerësoi zhvillimin e marrëdhënieve me Univesitetin e Tiranës dhe shprehu angazhimin e tij për zhvillimin e programeve të përbashëta midis dy institucione si dhe mbështetjen për studentët e ciklit të dytë dhe të tretë të Universitetit të Tiranës për të kryer kërkime shkencore pranë kësaj qendre. 

Në fjalën e tij, Ambasadori Cuttillo vlerësoi nënshkrimin e marrëveshjes së bashkëpunimit të cilat forcojnë marrëdhëniet dhe krijojnë forma të reja bashkëpunimi midis dy vendeve. Ambasadori vlerësoi edhe hapjen e programeve të përbashkëta të studimit me fondet e Bashkimit Europian. 

Pas nënshkrimit të marrëveshjes, Prof. Remo Ruffini mbajti një leksion me temë ”Momenti i formimit të Vrimave të Zeza në shpërthimin e Rrezeve Gama”.