Pjesëmarrja e UT në Panairin HIGH TECH SHOW - UNIVERSITETI I TIRANËS

Pjesëmarrja e UT në Panairin HIGH TECH SHOW

Universiteti i Tiranës, me anë të Projektit Pacinno mori pjesë në Panairin e Teknologjisë “HIGH TECH SHOW”, në kuadër të Javës së Inovacionit në Tiranë.

Ky panair u organizua në datat 11-13 maj në ambientet e “TIRANA EXPO CENTRE” nga Tirana Expo Centre dhe Ministri për Inovacionin dhe Administratën Publike.

Panairi synoi promovimin e produkteve dhe shërbimeve inovative në fushën e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit, shërbimeve publike dhe atyre private. “HIGH TECH SHOW” ishte një mundësi e përkryer prezantimi, ekspozimi dhe njohjeje me risitë teknologjike, subjektet projektuese, krijuese dhe tregëtuese.

Projekti Pacinno e konceptoi “HIGH TECH SHOW” si një vendtakim, kryefjala e të cilit është Inovacioni dhe Teknologjia. Ky event krijoi një mjedis me oportunitete të shkëlqyera për fushën e shkencës dhe teknologjisë, duke bërë bashkë-aktorët kryesorë të influencojnë në zhvillimin e këtij sektori në Shqipëri.

Qëllimi i pjesëmarrjes së projektit Pacinno në këtë event ishte ofrimi i një mundësie unike ekspozimi për promovimin dhe evidentimin e programeve që projekti ofron, si edhe nxitja e lidhjeve dhe marrëveshjeve të reja mes subjekteve pjesëmarrëse.

Pati goxha interes mbi projektin Pacinno dhe mbi synimet e programet që ai zhvillon nga pjesëmarrësit specifik të fushës së inovacionit, të cilët morën pjesë në këtë Panair. Projekti Pacinno pati mundësi, jo vetëm të promovojë veten, por edhe të lidhë bashkëpunime të ndryshme me aktorë dhe subjekte specifikë të fushës së Inovacionit.

Në të treja ditët e zhvillimit të Panairit pati një fluks vizitorësh dhe të interesuarish mbi projektin, të cilët patën mundësinë të informoheshin në lidhje  edhe me aktivitetet e ardhshme dhe vazhdimësinë e projektit Pacinno, si edhe në veçanti mbi aktivitetin më të afërm të rradhës, “Startup Live Tirana”.