Takimi në kuadër të Projektit Erasmus + Jean Monnet për prezantimin e modulit “Shoqëria shqiptare drejt integrimit të plotë në familjen evropiane” - UNIVERSITETI I TIRANËS

Takimi në kuadër të Projektit Erasmus + Jean Monnet për prezantimin e modulit “Shoqëria shqiptare drejt integrimit të plotë në familjen evropiane”

Më datë 27 shkurt 2019 në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë, Universiteti i Tiranës, u mbajt takimi në kuadër të Projektit Erasmus + Jean Monnet për prezantimin e modulit “Shoqëria shqiptare drejt integrimit të plotë në familjen evropiane”.

Në këtë takim ishin të pranishëm, Rektori i Universitetit të Tiranës, Prof. Dr. Mynyr Koni, Dekani i Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë, Prof. Dr. Sabri Laçi, Koordinatorja e Zyrës Kombëtare të Programit Erasmus +, znj.Aida Breti, staf akademik i Departamentit të Historisë si dhe studentë të këtij departamenti.

Në fjalën e tij, Rektori Prof. Dr. Mynyr Koni falenderoi koordinatoren e projektit znj. Meljana Bregu, ekipin pjesëmarrës të Projektit Jean Monnet dhe u shpreh se ishte nder dhe kënaqësi që ishte pjesë e këtij takimi. Në kuadër të programit Erasmus+, Universiteti i Tiranës është konsoliduar edhe më shumë nëpërmjet aktiviteteve të shumta, rritjes së kërkimit shkencor dhe ndërveprimit me institucione të ndryshme europiane.

Prof. Dr. Mynyr Koni theksoi se numri i aplikimeve për Programin Erasmus + është gjithmonë në rritje, por është e rëndësishme që të kemi edhe më shumë aplikime dhe kjo arrihet nëpërmjet rritjes së ndërgjegjësimit të studentëve. Rektori Koni u shpreh se të gjitha strukturat e Universitetit të Tiranës, Drejtoria e Marrëdhënieve me Jashtë dhe Studentët, koordiantorët akademikë të fakulteteve dhe pedagogët shprehin gadishmërinë dhe angazhimin e tyre. Gjithashtu Prof. Dr. Mynyr Koni falenderoi të gjitha strukturat për punën e tyre.
Rektori Koni u ndal edhe tek Projektet “Capacity Building” të Programit Erasmus + duke ftuar të gjithë stafin akademik të Universitetit të Tiranës që të aplikojnë për të qenë pjesë e tyre.

Në fund të fjalës së tij, Prof. Dr. Mynyr Koni i uroi suksese Projektit Erasmus + Jean Monnet si dhe studentëve që ishin pjesë e tij.

Dekani i Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë, Prof. Dr. Sabri Laçi shprehu kënaqësinë e promovimit të iniciativave të tilla nga pedagogë të rinj dhe që këto iniciativa rezultuan të suksesshme duke qenë pjesë e Projektit Erasmus + Jean Monnet. Këto projekte janë në dobi të stafit akademik, por edhe studentëve. Prof. Dr. Sabri Laçi theksoi se duhen rritur përpjekjet nga të gjithë aktorët për të fituar sa më shumë projekte në kuadër të Programit Erasmus + dhe se studentët duhet të kenë sa më shumë kurajo dhe dëshirë për të aplikuar pasi edhe përfitimet do të ishin shumë të mëdha për të gjithë.

Koordinatorja e Zyrës Kombëtare të Programit Erasmus +, znj.Aida Breti, u shpreh se Universiteti i Tiranës është padyshim përfituesi më i madh i projekteve në kuadër të Programit Erasmus +.