Vis Moot - UNIVERSITETI I TIRANËS

Vis Moot

                                                                                             

 

Në datat 27 Mars- 2 Prill 2015 në Vienë, u organizua konkursi XXII Willem C. Vis International Commercial Arbitration Moot, në të cilin Univesiteti i Tiranës, Fakulteti i Drejësisë u përfaqësua nga një grup prej gjashtë studentësh, Gëzim Spahiu, Sonila Zela, Sara Zekaj, Zaim Lakti, Xhuljana Mucaj dhe Klaus Xhaxhiu, të shoqëruar nga pedagoget që kanë ndjekur përgatitjen e tyre, Prof. Asoc. Dr. Flutura Kola Tafaj dhe Silvana Cinari, MA.

VIS Moot organizohet që prej vitit 1993 dhe në të marrin pjesë studentë të drejtësisë nga Universitetet më prestigjozë në mbarë botën. Qëllimi i tij është nxitja e studimit të së drejtës ndërkombëtare tregtare dhe arbitrazhit për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve ndërkombëtare tregtare dhe trajnimi i juristëve të së ardhmes lidhur me metodat alternative të zgjidhjes së mosmarrëveshjeve. Objekt gjykimi është një mosmarrëveshje që lind nga një kontratë shitjeje ndërmjet personave nga dy shtete të ndryshme, palë të Konventës për Shitjen Ndërkombëtare të Mallrave (CISG), e cila është ratifikuar nga Republika e Shqipërisë me Ligjin Nr.10 092, datë 09.03.2009.

Universiteti i Tiranës, Fakulteti i Drejtësisë u përfaqësua në këtë konkurs, në të cilin ishin pjesëmarrës 302 Universitete nga 66 shtete të botës, për të dytin vit. Universitetet me të cilat u përball Universiteti i Tiranës ishin University of Law (London Moorgate), Angli; Benjamin N. Cardozo School of Law, New York; Academic Center of Law & Business, Izrael; University of Nice, France.

Nga të gjithë pjesëmarrësit vetëm 64 Universitete kalojnë në raundet eliminatore, nga të cilat del dhe fituesi. Ekipi përfaqësues  i Universitetit të Tiranës nuk arriti të kalojë në këtë fazë. Sidoqoftë eksperienca e përfituar nga studentët është e paçmueshme. Shpresojmë që me përkushtim dhe mbështetjen e duhur Universiteti i Tiranës, Fakulteti i Drejtësisë ta kthejë në traditë pjesëmarrjen në këtë konkurs të jashtëzakonshëm për nga përmasat dhe kualiteti.