Deklaratë e Drejtorisë Juridike dhe Marrëdhënieve me Publikun të Universitetit të Tiranës - UNIVERSITETI I TIRANËS

Deklaratë e Drejtorisë Juridike dhe Marrëdhënieve me Publikun të Universitetit të Tiranës

Deklaratë e Drejtorisë Juridike dhe Marrëdhënieve me Publikun të Universitetit të Tiranës.

Në lidhje me dy seancat e fundit të zhvilluara pranë Gjykatës Administrative të Apelit Tiranë për kërkesë padinë e Rektorit të UT kundër VKM -së që kalon Kopshtin Botanik në pronësi të Bashkisë Tiranë, bëjmë me dije se: përkatësisht në datat 29.10.2019 dhe 14.11.2019, Gjykata Administrative e Apelit Tiranë mori në shqyrtim kërkesat e palëve të paditura:

Këshillit të Ministrave, MASR dhe Bashkisë Tiranë për moslegjitimin e Rektorit në ngritjen e padisë me objekt: Shfuqizimin e VKM -së që kalon Kopshtin Botanik në pronësi të Bashkisë Tiranë dhe shpalljen e moskompetencës së Gjykatës Administrative të Apelit Tiranë në
shqyrtimin e kësaj çështjeje.

Në seancën e datës 29.10. 2019, Gjykata Administrative e Apelit Tiranë rrëzoi kërkesën e Avokaturës së Shtetit pranë Kryeministrisë, MASR dhe të Bashkisë Tiranë, duke vendosur legjitimimin e Rektorit të Universitetit të Tiranës në ngritjen e padisë me objekt: Shfuqizimin e VKM -së që kalon Kopshtin Botanik në pronësi të Bashkisë Tiranë.

Ndërsa në seancën e sotme datë 14.11. 2019, Gjykata Administrative e Apelit Tiranë vendosi: Shpalljen e moskompetencës dhe dërgimin e çështjes për gjykim në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Tiranë.

Përsa më sipër, kërkesë padia e ngritur nga Rektori i UT-së kundër VKM-së që kalon Kopshtin Botanik në pronësi të Bashkisë Tiranë do të gjykohet nga Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Tiranë.

Gjykata Administrative e Apelit nuk ka rrëzuar padinë e Rektorit të UT, por ka përcaktuar kompetencën funksionale.