E ardhmja e arsimit të lartë në Shqipëri! - UNIVERSITETI I TIRANËS

E ardhmja e arsimit të lartë në Shqipëri!

Ekspertë të Bankës Botërore po punojnë për hartimin e një stategjie për të ardhmen e arsimit të lartë në Shqipëri. Në këtë kuadër, në Rektoratin e Universitetit të Tiranës u organizua një takim me Grupin e Ekspertëve të BB dhe drejtuesve të UT. Kjo i shërben një faze faktmbledhëse, ku ekspertët kërkojnë të marrin më shumë informacion mbi punën e universiteteve, mundësinë dhe aftësinë për të zhvilluar kërkim shkencor, vlerën e diplomave në tregun e punës etj.

Tema ku u përqëndrua ky takim, lidhet me tre misionet e arsimit të lartë si: Formimi Akademik; Kërkimi Shkencor e Inovacioni; Impakti i Universitetit në Shoqërinë Shqiptare. Universiteti i Tiranës gjatë takimit dha informacion mbi programet e studimit në të tre ciklet e studimit, lidhjen e tyre me tregun e punës, sfidat me degët ku ka më pak studentë, infrastruktura akademike, niveli i financimit nga buxheti i shtetit dhe burimet e treta, marrëdhënia që universiteti ka me Alumnin dhe si e gjurmon punësimin e atyre që diplomohen. U prekën politikat dhe strategjitë e Universitetit të Tiranës për kërkimin shkencor, infrastruktura fizike dhe digjitale e tij, financimi nga grantet shtetërore dhe të ardhurat që krijon vetë universiteti nga burime të treta, ndërkombëtarizimin dhe impaktin që ka universiteti në zhvillimin social dhe ekonomik të vendit dhe qytetit të Tiranës.

Grupi i Ekspertëve të Bankës Botërore, në mënyrë të veçantë, ishte i interesuar të dinte problematikat me të cilat përballet UT në drejtimet ligjore, institucionale dhe financiare.

Në takim morën pjesë Rektori i Universitetit të Tiranës Prof. Dr. Artan Hoxha dhe drejtures të tjerë, si, si zv. rektorë, dekanë, zv.dekanë dhe drejtorë. Nga Banka botërore morën pjesë: z. Javier Botero Alvarez Ekspert për Çështjet e Politikave  të Arsimit të Lartë  dhe z. Nail Jena, Ekspert i Larte për Arsimin  në Departamentin e Europës e Azisë Qëndrore pranë Zyrës Rajonale  së  Bankës Botërore me qendër në Vjenë, dhe nga Ministria Arsimit dhe Sportit: Geron Kamberi, Këshilltar i Jashtëm për Çështjet e Arsimit të Lartë e Kërkimit Shkencor.