Mesazhi i Rektorit të UT-ës, Prof. Dr. Artan HOXHA për fillimin e Vitit të Ri Akademik 2023-2024 - UNIVERSITETI I TIRANËS

Mesazhi i Rektorit të UT-ës, Prof. Dr. Artan HOXHA për fillimin e Vitit të Ri Akademik 2023-2024

Studentë të dashur, të nderuar anëtarë të personelit akademik dhe staf i Universitetit të Tiranës!

Dua ta nis me një urim shumë të përzemërt për një vit të ri akademik 2023-2024 sa më të mbarë e të suksesshëm për të gjithë ju!

Më lejoni të dashur studentë që uleni për herë të parë në auditoret e universitetit, t’Ju përgëzoj që keni zgjedhur të vijoni rrugëtimin drejt dijes në Universitetin e Tiranës si institucioni i Arsimit të Lartë në vend. Gjithashtu, falenderoj të gjithë studentët e UT-së që studiojnë në programet e shumta që ofron ky universitet.

Suksesi juaj studentë të dashur, është misioni dhe krenaria jonë!

Të nderuar kolegë dua t’ju shpreh respektin dhe mirënjohjen time maksimale për punën dhe përkushtimin tuaj në formimin e profesionistëve dhe të ardhmen e vendit. Në këtë fillim viti akademik, kam besim që do arrijmë të rrisim më tej përpjekjet dhe përkushtimin për të ofruar një proces akademik dhe veprimtari kërkimore bashkëkohore në të mirë të studentëve

Si rezultat i punës sonë të përbashkët, Universiteti i Tiranës është kthyer sot në një qendër ekselence, dhe kontributor i rëndësishëm në zhvillimin ekonomiko shoqëror të vendit.

UT ofron ndër të tjera edhe 16 programe studimi në gjuhën angleze në ciklin Bachelor dhe Master të miratuara nga MAS. Këtë vit për herë të parë, UT lëshoi diplomën në gjuhën angleze për studentët e ciklit bachelor që përfunduan studimet e tyre. Gjithashtu ofrohen edhe 4 programe të përbashkëta me universitete të tjera evropiane me diplomë të dyfishtë duke krijuar hapësira për studentët për zgjerimin e dijeve dhe mundësi më të mëdha për specializimin e tyre.

Për ne si institucion janë të rëndësishme rezultatet e arritura në rritjen e bashkëpunimeve me universitete evropiane në kuadër të programeve të shumta, numrit të rritur të projekteve të fituara kombëtare dhe ndërkombëtare, rritjes së mobiliteteve të personelit dhe studentëve, rritjes së pjesëmarrjes së tyre në veprimtari shkencore, përmirësimit të infrastrukturës dhe krijimit të laboratorëve në mbështetje të proceseve kërkimore shkencore.

Mirënjohje dhe falenderim i veçantë për punën e palodhur, plot pasion dhe përkushtim të të gjitha strukturave akademike, ndihmësakademike dhe administrative.

Me këtë rast, Ju uroj suksese në këtë vit të ri akademik, ku dija dhe arritjet do të jenë në qendër të punës së përditshme!

 

Rektor i Universitetit të Tiranës

Prof. Dr. Artan HOXHA