Intervistë me studentë pjesëmarrës në "Konferencën Shkencore Ndërkombëtare Studentore" - UNIVERSITETI I TIRANËS

Intervistë me studentë pjesëmarrës në “Konferencën Shkencore Ndërkombëtare Studentore”

Intervistë me studentë pjesëmarrës në “Konferencën Shkencore Ndërkombëtare Studentore”

Universiteti i Tiranës organizoi “Konferencën Shkencore Ndërkombëtare Studentore” , për herë të parë e këtyre përmasave, me pjesëmarrjen e 295 studentëve dhe studiuesve, nga 29 institucione publike dhe private, ku u prezantuan plot 128 studime e punime nga të gjitha fushat: gjuhësi, albaniologji, shkenca juridike shkenca sociale e shkenca të natyrës.

Ne po sjellim opinionet e disa prej të rinjëve që morën pjesë në këtë konferencë.

 

Erikson Nikolli, ka mbaruar së fundmi studimet për Master Shkencor Arkeologji pranë Departamentit të Arkeologjisë dhe Trashëgimisë Kulturore në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë (UT).

?Çfarë teme keni zgjedhur për punimin tuaj?

?Tema që kam zgjedhur të trajtojë në Konferencën Shkencore Ndërkombëtare Studentore, ka të bëjë me disa vepra arti të autorit Maks Velo të cilat ishin të censuruara në periudhën e komunizmit, pas dënimit të autorit me akuzën e agjitacionit dhe propagandës. Maks Velos iu dogjën rreth 468 vepra të ndryshme arti dhe vetëm 35 shpëtuan. Sot jemi të lumtur që këtyre 35 veprave që i përkasin periudhës së parë artistike të autorit, i shtohen edhe 5 të tjera të cilat u zbuluan së fundmi nga ne. Firma e autorit ishte mbuluar me anë të bojës në mënyrë që të mos lexohej nga shikuesit, pasi tashmë konsiderohej si një armik i regjimit dhe i influencuar nga rrymat moderne të artit.

? Përse zgjodhët këtë temë dhe përse zgjodhët ti kushtoheni kërkimit?

?Zgjodha të trajtoja këtë temë për shkak të rëndësisë së madhe që kanë këto vepra për të plotësuar veprimtarinë artistike të Maks Velos. Këto vepra janë një pjesë e jetës së autorit janë dëshmi historike të periudhës në të cilën ai jetoi, një periudhë ku liria e të shprehurit në forma të ndryshme, ishte e limituar dhe duhet të ndiqte paradigmën e saj. Ndaj këto vepra artistike flasin me heshtjen e tyre dhe paraqesin tek ne shikuesit, një panoramë mbi regjimin e egër të së shkuarës por njëkohësisht me zbulimin e tyre arrijmë të ringjallim autorin dhe rezistenca e tyre ndaj pluhurit të kohës emeton shpresë dhe mesazhin se liria prevalon gjithmonë. Ndaj ishim shumë të vendosur që ta conim deri në fund këtë studim dhe ta prezantonim mes kolegësh dhe brezit të së ardhmes që të vlerësonim rëndësinë që ka kërkimi shkencor dhe se produktet e tij sjellin në dritë informacione të reja të cilat ndihmojnë në zbulimin e të panjohurës, të së harruarës dhe të fshehtës.

? Sa e vështirë është sot të merresh me studime apo kërkim shkencor?

?Sot mundësitë për të kryer studime apo kërkime shkencore janë të shumta dhe dita ditës krijohen më shumë hapësira dhe lehtësira për ne studiuesit e rinj që të ndërmarrim iniciativa për të hulumtuar. Një shembull konkret ishte dhe Konferenca Shkencore Ndërkombëtare Studentore, që shërbeu si një medium dhe mjedis që promovon kërkimin shkencor, në të cilën morën pjesë shumë studiues të ri. Po ashtu komunikimi me specialist të fushës në mënyrë që të marrim këshilla dhe informacion sot është bërë më i lehtë dhe janë gjithmonë të hapur për të ndihmuar brezin e ri të studiuesve. 

Sigurisht që ekzsitojnë problematika si pamundësia për të parë fonde të cakuara të depozituara në institucione të ndryshme për shkak të burokracisë, ndaj një digjitalizim dhe aksesi i tyre për publikun e gjerë do të mundësonte më shumë lehtësira për të ndërmarrë kërkime shkencore si dhe për të pasur një studim sa më gjithëpërfshirës.

?Një mesazh për të rinjtë e tjerë?

?Do të inkurajoja të gjithë të rinjtë të përballeshin me kërkimin shkencor në mënyrë që të avancojmë fushat tona përkatëse të studimit si dhe të faktorizojmë rëndësinë dhe rolin që brezi ynë ka në sferën shkencore, i cili është një impuls dinamik dhe plot energji gati për të ardhmen.