Intervistë me studentë pjesëmarrës në "Konferencën Shkencore Ndërkombëtare Studentore" - UNIVERSITETI I TIRANËS

Intervistë me studentë pjesëmarrës në “Konferencën Shkencore Ndërkombëtare Studentore”

?

Universiteti i Tiranës organizoi “Konferencën Shkencore Ndërkombëtare Studentore” , për herë të parë e këtyre përmasave, me pjesëmarrjen e 295 studentëve dhe studiuesve, nga 29 institucione publike dhe private, ku u prezantuan plot 128 studime e punime nga të gjitha fushat: gjuhësi, albaniologji, shkenca juridike shkenca sociale e shkenca të natyrës.

 
Ne po sjellim opinionet e disa prej të rinjëve që morën pjesë në këtë konferencë.
 
???? Ergisa Çela, studente e vitit të dytë, programi bachelor, dega Bioteknologji në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, Universiteti i Tiranës.
 
?Çfarë teme keni zgjedhur për të kryer punimin tuaj?
?Grupi jonë i përbërë nga unë, Deni Maçkiq, Eva Durro dhe Elissa Ymeri përzgjodhi të bëhej pjesë e kësaj konference me temën “Roli i epigjenetikës në shfaqjen e Diabetit të Tipit 2.”
 
?Përse zgjodhët këtë temë dhe përse zgjodhët ti kushtoheni kërkimit?
?Duke parë edhe statistikat mbi prevalencën në rritje të kësaj sëmundjeje, sidomos në vitet e fundit, interesi për të zbuluar më tej rreth faktorëve që e ndikojnë atë ishte i lartë. Kjo edhe për faktin se si studente të bioteknologjisë, me interes të fokusuar në bioteknologjinë mjekësore për vijueshmërinë e studimeve, ky kërkim do të na shërbente pse jo si bazë edhe për të dhënë një zgjidhje në të ardhmen.
 
?Sa e vështirë është sot të merresh me studime apo kërkim shkencor?
?Ne fakt, besoj se përgjigjen për këtë pyetje nuk na takon ta japim ne duke qenë se puna jonë nuk ishte një kërkim i mirëfilltë shkencor i bërë nga ne, por një analizë e disa studimeve që do të na ndihmonte të dilnim në një konkluzion që mund ta integrojmë më vonë në kërkime të tjera.
Një nga problematikat që përmendëm edhe gjatë referimit tonë lidhet me mundësitë e kufizuara që i jepen studentëve të programit bachelor për të qenë pjesë aktive e kërkimit shkencor, edhe pse kjo përbën një rëndësi të madhe për formimin tonë si bioteknologë. Besoj që është e rëndësishme të punohet për të gjetur një zgjidhje në këtë aspekt për ata studentë, si unë, si ne, që janë të apasionuar në përfshirjen në kërkimin shkencor.
 
?Një mesazh për të rinjtë e tjerë?
?Do t’iu sugjeroja të gjithë të rinjve që kanë dëshirën dhe vizionin për të bërë gjëra të mëdha, të angazhohen më shumë në procesin e kërkimit shkencor, si edhe të shfrytëzojnë ato hapësira që iu jepen për të folur dhe për tu dëgjuar, ashtu si kjo konferencë e cila gjatë këtyre dy ditëve foli me zërin e studentëve. Për ta përmbyllur, ndoshta mundësitë e dhëna nuk janë më të mirat e mundshme, por  le të shërbejë kjo konferencë dhe të tjera që do të pasojnë si një katalizator për ndryshim, sepse jemi pikërisht ne, studentët, ata që mund të sjellim inovacion dhe avancim.