Një qendër për Kërkimin dhe Këshillimin e Karrierës - UNIVERSITETI I TIRANËS

Një qendër për Kërkimin dhe Këshillimin e Karrierës

Një qendër konsulence për karrierën, në ndihmë të studentëve dhe maturantëve, u hap në Fakultetin e Shkencave Sociale. Kjo qendër e re kërkimore, është një partneritet me Universitetin e Lozanës në Zvicër, dhe me mbështetjen e RisiAlbania, një projekt i Agjensisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim. Qendra e Kërkimit dhe Këshillimit për Karrierën pranë Fakultetit të Shkencave Sociale, do të jetë si një laborator praktik në shërbim të studentëve, të menaxhimit të rasteve të vështira të këshillimit dhe kërkimit shkencor në fushën e karrierës.

Pranë këtij fakulteti dhe në prani të drejtuesve të RisiAlbania, u bë edhe prezantimi i projektit, që do të instalojë të parën zyrë këshillimi për karrierën.

Qendra do të orientojë dhe këshillojë studentët në kryerjen e prakitkave të tyre, organizimin e projekteve për kërkimet, orientimet për studimet e mëtejshme etj. Pedagogët theksuan se kërkimet shkencore do të orientohen që të jenë të aplikueshme në shoqëri, dhe jo studime për të qëndruar në arkiva.

Por këto qendra nuk do të jenë në shërbim vetëm të studentëve. Ato do të jenë një dritare e hapur edhe për maturantët, të cilët do të kenë nevojë të orintohen në rrugen e tyre për të vendosur se çfarë dege duhet të ndjekin për të studiuar.

“Ne duhet të jemi një pikë e rëndësishme referimi për ti orientuar të rinjtë se ku duhet të studiojnë, në mënyrë që të zgjedhin fushën ku kanë taletnt dhe preferojnë. Duhet të orientojmë të rinjtë se si mund të kërkojnë një punë pasi janë diplomuar”- theksoi dekani i FSHS Prof. Edmond Rapti.