Pre – Meeting StartUp Live Tirana - UNIVERSITETI I TIRANËS

Pre – Meeting StartUp Live Tirana

 

 

 

 

 

 

Ditën e Enjte më datë 30 Prill 2015  ambjentet e Ministrisë së Inovacionit dhe Administratës Publike u zhvillua aktiviteti “Pre-StartUp Live Tirana”, si një bashkëpunim i Unique Junior Enterprise dhe Universitetit të Tiranës, si edhe projektit Pacinno si pjsesë e UT. Ky takim u zhvillua pranë Ministrisë së Inovacionit, si një nga mbështetësit kryesorë.

Ky aktivitet kishte si qëllim informimin e të rinjve dhe studentëve në lidhje me zhvillimin e StartUp Live Tirana, si edhe informimin mbi formën e prezantimit të ideve të biznesit në StartUp Live Tirana.

StartupLiveTirana është një event tre ditor, gjatë të cilit të rinjtë konkurojnë me planet e tyre të biznesit. Eventi do të zhvillohet në datat 15-17 Maj 2015 në godinën Iliria. Universiteti i Tiranës do të afrojë studentë të profileve të ndryshme, të cilët do të ndahen në grupe dhe do të punojnë përgjatë tre ditëve me planet e tyre tëbiznesit.

Takimi paraprak i pjesëmarrësve në StartUp Live Tirana, u mundësoi studentëve njohjen me formatin e aktivitetit, formën e prezantimit dhe si të zhvillojnë planin e tyre të biznesit.

“Studentët do të trajnohen nga mentorë dhe ekspertë të fushave të ndryshme, duke marrë kështu këshilla të nevojshme, për të konceptuar një plan biznesi sa më të mirë” – shpjegoi Indri Dyrmishi  i cili është President i Unique Junior Enterprise dhe Përgjegjës i Zyrës së Transferimit Teknologjik në Universitetin e Tiranës.

Gjatë këtij takimi u prezantuan mentorët, juria dhe çmimet. Fituesit  e Startup LiveTirana do të kenë mundësi të përfaqësojnë Shqipërinë në eventin më të madh të Startup-ve, i quajtur Pioneers Festival, ndërsa për tre ekipet më të mira, do të ofrohet një program trajnimi tre mujor, në formën e një inkubatori, në mënyrë që grupet të vazhdojnë përpara punën për krijimin e bizneseve të tyre.

Regjistrimet në këtë event vazhdojnë ende dhe mund të regjistrohen të gjithë studentët e rinj dhe jo vetëm në www.startuplive.org /albeu.com/