Promovimi i dinjitetit dhe vlerave njerëzore - UNIVERSITETI I TIRANËS

Promovimi i dinjitetit dhe vlerave njerëzore

                                                                                             

Më datë 31 Mars 2015, u organizua Konferenca Kombëtare me titull: “Promovimi i dinjitetit dhe vlerave njerëzore” në kuadër të aktiviteteve shkencore të Departamentit të Punës dhe Politikës Sociale për vitin akademik 2014-2015.

Në kuadrin e reformave që kanë përfshirë Shqipërinë, por jo vetëm, si sfida të procesit të integrimit europian, këndvështrimet e reja mbi profesionin dhe praktikat e punës në terren, përbëjnë një nevojë imediate që nxit trajtimin e problematikave, por edhe vlerësimin e modeleve më të mira të punës e bashkëpunimit, si dhe ndarjen e eksperienacave dhe vështrimet kritike me profesionistë dhe aktorë të praktikës së punës sociale.

Konferenca shërbeu si një forum i hapur ku profesionistët dhe kërkuesit shkencor ndanë eksperincat e tyre në fushat e ndryshme të praktikës ku punojnë.

Qëllimi kyesor i konferencës ishte promovimi i profesionit të Punës Sociale në fushën e respektimit të dinjitetit dhe vlerave njerëzore.Punonjësit socialë ndihmojnë njerëzit të kapërcejnë problemet dhe të kenë kontroll mbi jetën e tyre. Ata mbështesin njerëzit për t’u përballur me problem si izolimi, varfëria, sëmundjet, disavantazhet si dhe forma të ndryshme të diskriminimit. Roli i tyre është i një profesionisti që udhëheq, advokon, dhe negocion në emër dhe për përdoruesit e shërbimeve dhe të njerëzve në nevojë. Megjithatë, shpesh punojnë dhe me njerëz që janë në situatë krize; ata duhet të marrin vendime të vështira dhe të ndërhyjnë për të parandaluar dëmtimin e njerëzve vulnerabël. Puna sociale është e vështirë dhe sfiduese: kërkon pjekuri dhe një nivel të lartë përkushtimi personal.

Aktiviteti u zhvillua në mjediset e Fakultetit të Shkencave Sociale dhe synoi të krijojë një forum ku profesionistë, studiues, politikëbërës shkëmbyen rezultate të eksperiencës së tyre, gjatë përpjekjeve për zhvillimin e punës sociale, sikurse edhe ndanë mendimet, parashtruan filozofitë dhe metodologjitë e praktikave profesionale, si sfida të punonjësve socialë në fushat e ndryshme të praktikës ku punojnë. Konferenca u realizua në partneritet me Shoqatën Kombëtare të Punonjësve Sociale.

Temat kryesore të konferencës ishin:

  • Sfidat e profesionistëve të Punës Sociale në ofrimin e shërbimeve.
  • Promovimi i profesionit të Punës Sociale në kuadër të respektimit të vlerave dhe dinjiteti njerëzor.

Gjatë aktivitetit u realizuan prezantime të profesionistëve të fushës, studiuesve, politikëbërësve, përfaqësues të institucioneve shtetërore apo organizatave të tjera në fushën e shërbimeve sociale dhe prezantime të studimeve doktorale. Konferenca përfshiu 150 pjesëmarrës: akademikët e fushës së punës sociale dhe fushave të ngjashme që lidhen me çështjen dhe fokusin e konferencës, profesionistë të fushës, politikë bërës në fushën e politikave sociale dhe politika të tjera, studentët e ciklit të tretë të studimeve pranë Fakultetit të Shkencave Sociale, aktorë të interesuar nga sektori i shoqërisë civile, OJF-ve, institucione të shërbimeve sociale, etj.