Rektori i UT merr pjesë në hapjen e konferencës shkencore ndërkombëtare të fizikës ICAP 2019

Rektori i Universitetit të Tiranës, Prof. Dr. Mynyr Koni, mori pjesë dhe përshëndeti hapjen e konferencës shkencore ndërkombëtare ICAP 2019 e organizuar nga Departamenti i Fizikës në Fakultetin e Shkencave të Natyrës ditën e enjte datë 20.11.2019.
Në fjalën e tij, Rektori i UT tha se qëllimin e Konferencës së Fizikës ICAP e shikonte si një përpjekje për të sjellë pranë FSHN bashkësinë e shkencëtarëve, profesionistëve, pse jo dhe studentëve për prezantimin e arritjeve të tyre të reja si dhe ndarjen midis tyre të ideve lidhur me shkencën në përgjithësi dhe fizikën në veçanti.
Ai shtoi se kjo konferencë shpreson të  kontribuojë në rritjen e njohurive dhe përvojave të vendeve të ndryshme në mënyrë që përvojat më të mira të aplikohen edhe në Universitetin e Tiranës. Rrjedhimisht, jo vetëm profesorati, por edhe studentët do  të jenë marrësit kryesorë të përfitimeve nga të tilla konferenca shkencore për të rritur nivelin e tyre të njohurive dhe për të hapur horizonte të reja për të ardhmen.
Në këtë kuadër, Prof. Koni kërkoi më shumë angazhim nga stafi i departamentit të fizikës për të krijuar module dhe programe të reja mësimore që do t’i përshtaten më së miri kërkesave të kohës dhe të tregut në përgjithësi.
Në fund të fjalës së tij, Rektori i UT shprehu besimin e tij se kjo konferenëc do të jetë e suksesshme dhe falenderoi stafin akademik dhe studentët e departamentit të fizikës si edhe profesorët nga Kosova, Maqedonia e Veriut, Amerika, Italia, Franca dhe Greqia.
Konferenca ICAP 2019 mbahet për të mbuluar një gamë të gjerë aspektesh nga aplikimet themelore në ato praktike të fizikës dhe këtu vlen të përmenden fusha të tilla si: fizika e atmosferës, fizika llogaritëse, energjitë e rinovueshme, biofizika, fizika e materialeve, sistemet komplekse, astrofizika, meteorologjia dhe natyrish mësimdhënia e fizikës.

 

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *